Ministri britanik për Çështje Evropiane, Leo Docherty, është shprehur i kënaqur që një batalion i ushtrisë së Britanisë Madhe do t’i bashkëngjitet KFOR-it në Kosovë.
Ministria e Mbrojtjes e Britanisë së Madhe ka njoftuar të premten se ka transferuar komandën e një batalioni të ushtrisë britanike në NATO, në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetje në Kosovë në rast se kërkohet.
“Të kënaqur që forcat e Mbretërisë së Bashkuar po forcojnë KFOR-in në Kosovë, duke demonstruar përkushtimin tonë ndaj NATO-s dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ministri britanik Docherty, në një postim në platformën “X”, transmeton Telegrafi.
Më tej ai ka thënë se “kërkojmë qetësi dhe de-përshkallëzim nga të gjitha anët”.
“E vetmja rrugë e qëndrueshme drejt paqes në Kosovë është përmes dialogut”, ka thënë Docherty.
Pleased that UK forces are bolstering KFOR in Kosovo, demonstrating our commitment to NATO and stability in the Western Balkans.
We urge calm and de-escalation from all sides. The only sustainable path to peace in Kosovo is through dialogue.
— Leo Docherty MP (@LeoDochertyUK) September 30, 2023
Ndërsa, Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar ka njoftuar se “për shkak të situatës aktuale në Kosovë, ne kemi transferuar komandën e Batalionit të Parë të Regjimentit Mbretëror të Princeshës së Uellsit – një forcë rezervë për Forcën e NATO-s në Kosovë (KFOR), në mënyrë që të mund të ofrojë mbështetjes nëse kërkohet”.
Ishte Aleanca Veri-Atlantike (NATO) e cila ka konfirmuar se ka autorizuar forca shtesë në Kosovë për shkak të zhvillimeve të fundit në veri të vendit.
Në njoftimin për media thuhet se KFOR-i do të ndërmarr veprimet e nevojshme për të ruajtur një mjedis të sigurt dhe lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë. /Telegrafi/