Miliona peshq të ngordhur janë shfaqur në një lumë pranë një qyteti të vogël australian, një fenomen që zyrtarët shtetërorë thonë se lidhet me “kushtet e valës së të nxehtit” që po përfshin vendin.
Videoja e cila u shfaq këtë javë, shfaq masa të peshqve të ngordhur që notonin në pellgun Menindee Weir pranë Broken Hill, raportoi dega e CNN në Australi.
“Një numër i konsiderueshëm” peshqish, duke përfshirë krapin dhe harengën kockore, së bashku me lëndë ushqyese dhe lëndë organike nga fusha e përmbytjeve, janë kthyer në lumë për shkak të motit të nxehtë, sipas Departamentit të Industrive Primare (DPI) në New South Wales, përcjell Telegrafi.
“Këto vdekje peshqish lidhen me nivelet e ulëta të oksigjenit në ujë (hipoksi) teksa ujërat e përmbytjeve tërhiqen”, shpjegohej në një deklaratë të bërë këtë javë nga ana e Departamentit.
“Kjo ngjarje po vazhdon si një valë e të nxehtit… vazhdon të stresojë më tej një sistem, sistem ky i cili ka përjetuar kushte ekstreme nga përmbytjet në shkallë të gjerë”, tha DPI.
“Moti aktual i nxehtë në rajon po përkeqëson gjithashtu hipoksinë, pasi uji i ngrohtë mban më pak oksigjen sesa uji i ftohtë dhe peshqit kanë nevoja më të larta për oksigjen në temperatura më të ngrohta”, shtoi departamenti.
Pamje të peshqve të ngordhur u raportuan gjithashtu këtë javë edhe në Luginën Macquarie. /Telegrafi/