LAJMI I FUNDIT:

Mesazhe urimi me rastin e festës së Fitër Bajramit

Mesazhe urimi me rastin e festës së Fitër Bajramit

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, përgëzoi sot të gjithë besimtarët e fesë islame me rastin e Fitër Bajramit. Përmes një mesazhi drejtuar qytetarëve të vendit, myftiu Tërnava tha se në ditën e Fitër Bajramit, më shumë se kurrë duhet të afrohen zemrat e njerëzve, të harrohen urrejtjet, të zhduken mospajtimet dhe të shtrihen duart e pajtimit.

Kjo festë na rikujton edhe kujdesin që duhet të kemi ndaj të dobëtit dhe të paaftit, derisa çdo shtëpi dhe familje të mbushet me gëzim, thuhet në urim.

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ua uroi Ditën e Bajramit të Madh të gjithë qytetarëve dhe besimtarëve të besimit islam të vendit, me dëshirat më të mira për paqe dhe lumturi. Po ashtu, ai i dërgoi një telegram urimi kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.

Ndërkaq në urimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kolë Berisha, me rastin e festës së Fitër Bajramit ndër të tjera thuhet: Festa e Fitër Bajramit është festë e solidaritetit, e shprehjes së humanitetit dhe e shprehjes së dashurisë ndërmjet njerëzve. Është festë e mesazhit të madh për besim me të gjithë njerëzit dhe për mirëkuptim ndërmjet nesh. Prandaj, gjithmonë le të mbretërojë paqja, dashuria dhe lumturia në zemrat tuaja”.


Mesazhe urimi kanë dërguar edhe liderët të tjerë të institucioneve dhe të partive politike në vend.