Në mesazhin e presidenti të Republikës së Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, ndër të tjera thuhet se, “shprehim nderimin tonë për të gjithë ata që me agjërim kanë kaluar një muaj nën shenjën e adhurimit të Zotit, nën shenjën e mirësisë dhe të përulësisë, të sakrificës e të gjendjes pranë njëri-tjetrit”.

“Duke e përsëritur falënderimin tonë të gjithmonshëm për miqtë tanë, që na u gjetën në orët më të liga të historisë, ritheksojmë vendosmërinë tonë për forcimin dhe sundimin e rendit dhe të ligjit në shtetit tonë, për krijimin e një mjedisi të qetë e stabil, në mënyrë që brezave të ardhshëm t’u krijojmë kushte më të mira për jetë dhe prosperitet në atdheun tonë të shtrenjtë”, shkruan ndër të tjera në urimin e presidentit Sejdiu, i cili i ka dërguar mesazh urimi edhe kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava.

Ndërkaq kryeministri Hashim Thaçi ka përgëzuar kryetarin e Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim Tërnava dhe të gjithë qytetarët e fesë islame të Kosovës me rastin e Fitër Bajramit, e cila sivjet po kremtohet për herë të parë në Kosovën e lirë, shtet të pavarur, sovran dhe demokratik.

“Kjo është e arritura jonë e madhe, për të cilën janë përpjekur gjenerata të tëra”, thuhet mes tjerash në telegramin e urimit të kryeministrit Hashim Thaçi, dërguar qytetarëve të fesë islame të Kosovës me rastin e Fitër Bajramit.

”Qytetarët e Kosovës gjithmonë janë shquar për vlera humane, vëllazërore dhe tolerancë ndërfetare, duke u dëshmuar si shoqëri që respekton të arriturat më të mira të civilizimit”, thuhet në urimin e kryeministrit Thaçi, i cili ka shtuar se në Kosovën e lirë dhe të pavarur këto vlera do të kultivohen edhe më shumë. “Uniteti qytetar, harmonia, toleranca ndërfetare dhe ndëretnike është pasuri e Kosovës, garanci e perspektivës sonë të mirë”, ka theksuar kryeministri Thaçi.

Edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, u ka uruar festën e Fiter Bajramit, kryetarit të Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiut Naim Tërnava dhe gjithë besimtarëve myslimanë. "Kjo kremte vjen pas muajt të madhërishëm të Ramazanit dhe simbolizon sakrificën, përkushtimin e besimtarëve dhe solidaritetin", thekson Krasniqi në urimin e tij, duke nënvizuar se "kremtimi i Fiter Bajramit këtë vit merr rëndësi të veçantë, pasi për herë të parë e gëzojmë në Kosovën e Pavarur".


Me rastin e festës së Fitër Bajramit, edhe kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim Tërnava, i ka uruar të gjithë besimtarët islam në Kosovë. “Kjo festë sivjet ka domethënie të dyfishtë, ngase për të parën herë e festojmë në Kosovën e pavarur e të pranuar ndërkombëtarisht”, thuhet mes tjerash në porosinë e kreut të Bashkësisë Islame. /Telegrafi/