Bianca Balti shkëlqeu në Festivalin e muzikës “Sanremo 2025” në Itali të mërkurën, ndërsa vazhdon betejën e saj me kancerin.
Supermodelja italiane, 40 vjeçe, e cila vitin e kaluar u diagnostikua me kancer ovarian, veshi katër fustane mahnitëse me shkëlqim teksa u ngjit në skenën e Teatro Ariston, shkruan DailyMail.
Në një paraqitje mahnitëse, Bianca u sigurua që të tërhiqte vëmendjen me një fustan argjendi me jakë halter, të zbukuruar me perla dhe me një prerje të guximshme në kraharor.
Ajo e plotësoi pamjen me një shall me gëzof të vendosur mbi njërin shpatull, duke sjellë një prekje të glamurit të Hollywoodit në festivalin katërditor të këngës, ku ajo është bashkëprezantuese me Carlo Conti.
Më pas, ajo u shfaq në një tjetër veshje elegante, duke u bërë qendra e vëmendjes me një fustan të zi me shkëlqim dhe një dekolte të thellë.
Bianca la veshjen të fliste vetë, gjersa për aksesorë vendosi vetëm një gjerdan argjendi dhe vathë të gjatë.
Në një pamje të tretë magjepsëse, ajo u shfaq me një fustan elegant blu ngjyrë qielli, i cili kishte rripa të zbukuruar me gurë të shndritshëm dhe një fund me pupla.
Një bisht dramatik me pupla zgjatej pas saj ndërsa zbriste shkallët në skenë, ndërsa e përfundoi pamjen me një palë doreza të zeza të tejdukshme.
Për veshjen e fundit, Bianca dha maksimumin, duke dalë në skenë me një fustan të tejdukshëm me jakë halter, të mbuluar tërësisht me gurë të shndritshëm.
Asaj iu bashkua në skenë bashkëprezantuesi i saj elegant, Carlo Conti, si dhe prezantuesi tjetër, këngëtari italian Cristiano Malgioglio.
Bianca dukej e lumtur, duke buzëqeshur dhe qeshur me kolegët e saj në skenë, madje duke kërkuar edhe një vallëzim me Cristianon.
Angazhimi i saj si prezantuese vjen vetëm disa javë pasi ajo përfundoi trajtimin me kimioterapi më 27 janar, në përballjen e saj me kancerin ovarian.
Pas humbjes së hallës së saj nga kanceri i gjirit, Bianca u informua në vitin 2021 se mbart gjenin BRCA1 dhe iu nënshtrua një mastektomie të dyfishtë parandaluese. Mutacionet në gjenin BRCA1 mund të rrisin rrezikun e zhvillimit të kancerit të gjirit.
Përveç zbulimit se ishte bartëse e këtij gjeni, Bianca mësoi se kishte 50 për qind mundësi për t’u diagnostikuar me kancer të gjirit dhe 30 për qind me kancer ovarian.
Në shtator 2024, Bianca u diagnostikua me kancer ovarian dhe e përshkroi si një “dënim me vdekje”, por tani thotë se ndjehet “më e gjallë se kurrë”.
Ajo pranoi se udhëtimi i saj me kancerin “nuk ka përfunduar ende”, ndërsa ndau një përditësim për shëndetin e saj në një postim prekës në Instagram me rastin e Ditës Botërore të Kancerit më 4 shkurt.
Ajo shkroi: “4 shkurt. Dita Botërore e Kancerit. Për mua, ka qenë gjithmonë një datë e zakonshme që më kujtohej vetëm nga disa postime në Instagram”.
“Megjithëse halla ime vdiq nga kanceri metastatik i gjirit në moshën 39-vjeçare dhe nëna ime u diagnostikua me mielomë para disa vitesh”.
“Dhe pavarësisht diagnozës sime në vitin 2021 si bartëse e gjenit BRCA1, për të cilin, në dhjetor 2022, iu nënshktrova një mastektomie të dyfishtë parandaluese”.
“Kanceri nuk kishte pushtuar mendimet e mia, e lëre më trupin tim”.
“Deri më 8 shtator 2024, ditën kur kanceri, më saktësisht ai ovarian, hyri në jetën time duke u ndjerë si një dënim me vdekje”.
“Më 14 tetor, fillova udhëtimin tim me kimioterapi, i cili përfundoi të hënën e kaluar, më 27 janar, por, për habinë time të madhe, gjatë këtyre muajve të fundit, u ndjeva më e gjallë se kurrë”.
“Nuk po e merrja më jetën si të mirëqenë, dhe mirënjohja ime arriti kulmin. Çdo gjë filloi të më dukej një bekim i vërtetë”.
“Ka qenë e vështirë dhe nuk ka përfunduar ende, por nuk do ta kisha dashur ndryshe”.
“Thonë: ‘Ajo që nuk të vret, të bën më të fortë’, por përvojë ime është se ajo që nuk më vrau, më bëri ta dua jetën edhe më shumë'”, tha modelja.
Në shtator, Bianca zbuloi se ishte diagnostikuar me kancer ovarian pasi u shtrua në spital për dhimbje të forta abdominale.
Ajo njoftoi diagnozën e saj shkatërruese në një postim në Instagram më 15 shtator, ku pranoi se kishte qenë një javë “plot frikë, dhimbje dhe lot”.
Nëna e dy fëmijëve zbuloi se pasi u shtrua në urgjencë, mjekët zbuluan se ajo kishte kancer ovarian në stadin 3C, që do të thoshte se sëmundja ishte përhapur përtej legenit.
Megjithatë, ende e buzëqeshur në spital, ajo insistoi se po qëndronte pozitive dhe ishte e sigurt se do ta “mposhtte” kancerin.
Modelja e “Sports Illustrated Swimsuit” tha se diagnoza e saj, e cila ka një normë mbijetese pesëvjeçare prej 39 për qind, e ndihmoi të gjente “bukurinë përmes sfidave të jetës”.
Sipas Ovarian Cancer Research Alliance, kanceri ovarian në stadin 3C do të thotë se sëmundja është e pranishme në një ose të dy tubat fallopiane dhe është përhapur në organet jashtë zonës së legenit.
Trajtimi për këtë formë agresive të kancerit përfshin operacion dhe kimioterapi. /Telegrafi/