Mërseli: VMRO-DPMNE dhe BDI në gjah pas medieve dhe kundërshtarëve politikë

Ky është vlerësim i analistit dhe publicistit Nebi Mërseli, njohës i dalluar i rrethanave politike në Maqedoni, sipas të cilit, me gabimet e veta, partitë në pushtet shfajësohen duke u dhënë në gjah pas medieve dhe kundërshtarëve politikë.
“Çdoherë kurë punët i kanë piskë partitë në pushtet kanë një formulë dalëse nga situata - sulmojnë mediat dhe kundërshtarët politikë. VMRO-DPME merret me arrestime të gazetarëve dhe mbyllje të mediave e BDI sulmon mediat se po bëjnë ‘zhurmë mediale’”, konstaton Mërseli.
Sipas tij, dështimi i samitit rajonal në Ohër nuk kaloi me ndonjë (vetë)sanksionim nga partitë në pushtet. Madje, BDI u mundua të arsyetojë këtë veprim të partnerit qeverisës, duke mos këmbëngulur në vendimmarrjen e establishmentit shtetëror në favor të shqiptarëve.
“Dhe tash, BDI po e kopjon PPD-në e dikurshme (që thoshte se është "opozitë në pushtet"), do t’i ‘hakmerret’ Ivanovit dhe Gruevskit, duke mos marrë pjesë në mbledhjen e përbashkët e qeverive të Shkupit dhe Beogradit”, tha Mërseli. /Telegrafi/


















































