Sipërmarrja e përcaktimit të natyrës së shqiptarit, një sprovë dhe lëngatë e jo pak penave të ndritura të letrave shqipe, ku ende buçasin britmat e Konicës dhe Fishtës, nuk e ka stepur shkrimtarin. Madje, fillimisht ia hyn udhës pa krye, drejtpërdrejt dhe fillikat, përmes mllefit të derdhur me sarkazëm mençurake. Papritur e pakujtuar në skenë futet një rrëfimtar i dytë, më i lashtë dhe dijeplotë. Një turk që tregon historinë e vet, historinë e fisit dhe të vendit të mirë, pra të Mekamit, që vizitohet nga pelegrinët. Në tregonjëzat e gjata (kapitujt), dalëngadalë zhdavaritet mjegullima dhe avitet përgjigjja e pyetjes së shtruar. Ikja prej ballafaqimit autorial dhe sendërgjimi i një realiteti letrar, ku e tërthorta shënjon esencialen, është shtrati i shpjegimtarisë së endur mjeshtërisht rreth natyrës së shqiptarit, mbi shpërfytyrimin e hershëm dhe bashkëkohor, është gjetje artistike e qëlluar për të realizuar një shqyrtim letrar të ftohtë, tashmë me gojën, sytë dhe mendjen e një turku. Pra ikja, ase ndërrimi i kahjeve narrative, në këtë rast është konceptim dhe këndshikim letrar origjinal. Prej aty, shpërndriten zgafellet e mbigjallimit të shqiptarit, të molepsur ndotjesh në paqenësi, të mbushura dingaz me deformime karakteriale të qëmotshme, por duke qenë kondensuar në subkoshiencë, ethet tjetërsuese bulëzojnë edhe në jetërat moderne. Madje, këtu edhe më shëmtueshëm. Prapë pyetja mbetet vjerrë. Absurdi jetësor e tejkalon realitetin artistik.

MEKAMI SI PASQYRË REFLEKTIMI
Figura e Mekamit në mendësinë e shqipes dhe të banorëve të saj ka hyrë si vend i mirë, si vend i shenjtë, ku s’kanë të mbaruar pelegrinët që e vizitojnë. Shënimi i vendosur poshtë titullit të librit, posaçërisht Melodi turke, diç fsheh nga shenjat shkrimore, njëkohshëm diçka zbulon magjishëm. Endja e realitetit letrar të ndërlikuar, ku thënies i rri përkarshi kundërthënia, historia mbart edhe antihistoriken, forma e përsosur herë-herë shformohet frikshëm, pra një formësim i veçantë e dallon ndjeshëm nga letërsia e parullëzimit të realitetit letrar. Kjo mënyrë e preferuar shprehësie e radhit ndër librat e rrallë të letrave shqipe, që edhe mund të shijohen po të lexohen si art, si magji e fjalësuar, si emocionalitet specifik. Zbulesa e rrokshme në materien tekstologjike ka të bëjë me ndoca tinguj të dhimbshëm dhe krenarë për humbjen e qenies. Një humbje e shkaktuar prej kërkimit të atdheut të ri. Mekami, aq më tepër kur është i shenjtë, mbart mbi vete ngjyrat dhe tonet e një melodie amshimi. Mekami, një pasqyrë e fiksuar, teksa kundron mjeranët që përsëritin shëmtinë fatale, përndritet edhe më shumë si akuzë e përjetshme, e rrokopujës ku kemi ecur dhe, po kaq krenarë dhe pa grimë ndërgjegjeje, shtegtojmë drejt humnerash të pafundme… RRATHET NDËRKOHORE Në faqet e librit koha vjen e fiksuar si shenjë konkrete, me të gjithë treguesit e nevojshëm: - Përditshmëria, me çmendurinë e radhës, e një çmendie të pangjashme në vendet dhe popujt e tjerë. Marrëzia godet dhe përmbys shenjtërinë, shkallmon shpirtin dhe kujtesën e mbyllur ndër varre e tempuj. Tufani dhe suferina absurde, krejt e parrokshme me fjalë, e ideve komuniste në Shqipëri kundër fetares dhe shpirtërores, kundër besimit dhe kulteve fetare, me gjithë sfondin e rrejshëm optimist, pati pasoja: vdekjen e sekretarit të partisë dhe shkallimin mendor të një tjetri. - E dikurshmja, e largët por e pashqitshme në mbamendje, që realisht përfaqëson pjesën më të madhe të romanit, ku shpërfaqen sëmundjet e zanafillës së genit shqiptar, pothuajse duke fokusuar karakteristikat qenësore: - gatishmëria e spiunimit qoftë edhe pa pagesë, - tradhtisë së zakonshme me dhe pa shkak, - shthurjes morale, që nuk kursen as trashëgimtarët, - trimërisë pas betejës dhe mençurisë mbrapa kuvendit, - dyzimit hipokrit, të një ndarjeje të pastër mes fjalës dhe veprimit. Pranëvënia e përballvënë e rrathëve të distancuar ndërkohorë, madje gjer në përllogaritje algjebrike, por të përputhura si ekzistencë e qenies, e qenies shqiptare në këtë rast, është qëllimore dhe një konceptim i gjetur artistik. Në këtë kuptim, pra si kohë e ndërkohësisë, materia letrare e këtij romani është nga të paktat sprova në letrat shqipe që tenton dhe rrok çmitizimin e një epoke. Operacioni çmitizues është gjithëpërmasor, teksa prek rrafshet e frymës, modelit dhe formës shprehëse. Rruga e çelur qysh prej Antikitetit, e cila eci në shtratin e mitologjisë duke e çmitizuar atë, prej Dantes e Shekspirit, ku akti çmitizues është parësori për të sendërtuar artin, për të mbërritur gjer tek çmitizimi modern gjithfarësh. Kurba e sprovuar, si kohështrirje dhe lëndë tekstologjike, e ka ravijëzuar (ç)mitizimin si njërën nga rruginat e kërkimit dhe realizimit të artit si esencë estetike e jo diçka tjetër. “Mekami” është ndër librat e parë të realizuar artistikisht, ku historia shformohet dhe formësohet si art, pra duke lexuar edhe anën tjetër të medaljes të historisë, që ekziston e jo se shpiket, domethënë pjesën e padukshme dhe të nënkuptuar, kryekreje duke e çmitizuar atë dhe padukshmërinë duke e fokusuar si esencialitet letrar…


HISTORIA PA TINGËLLIMA PËRDITSHMËRIE
Për të materializuar dhe shpjeguar rebusin shqiptar, si dimension shpirtëror e jo tjetërsoj, shkrimtari mërgon në të kaluarën. Zbritja në histori, në substancën e librit, kryhet si nevojë dhe ligjësori e thurjes së realitetit letrar. Pra duke projektuar një trill të habitshëm, as duke e ndryshuar apo retushuar, as duke e stërzmadhuar ase sfumuar, por duke fokusuar episode konkrete, siç i ka vulosur historia ndër dokumente dhe arkiva. Ombrella letrare, pra fuqizimi i temporitmikës së saj, tashmë si ngjarje të realitetit artistik, e bën të kapshëm trillimin e realizuar. Ndjesia e imagjinatës së ndezur autoriale bëhet e prekshme sidomos nga tekstura narratologjike, e larme dhe përplot sfumatura shprehësie, çka e ka shpëtuar prej rënies në historicizëm. Ikja prej kronikës dhe kronikanit të akullt, përmes artit të fjalës si shumësi formësimi dhe kuptimësie, ka mundësuar formulimin e poetikës së rrëfimtarisë. Dihet sipas teorikës letrare, se prania e poetikës narrative, përveç elementëve të tjerë të nevojshëm, është kriteri sendërgjues i prozës si shkrim letrar. Realizimi i këtyre kërkesave, i kapërthimit të linjave të pranishme, skalitja e personazheve, si dhe magjia e fjalësuar në nivel të ngritur letrar, e veçmas ikja prej historikes rapsodike, ka dhënë shkas për të kryer çmitizimin e një miti historik, gjithnjë si kërkimtari letrariteti. Kuptohet se çmitizimi ose antihistoria e trilluar këtu është esencë mirëfilli letrare, është njëherazi edhe një pasqyrë nga ku mund të kundrohen, natyrisht me vëmendje të përqendruar, shpirti dhe shpirtërorja e kondensuar në kaq e kaq shekuj. Depërtimi prapa vellos së padukshme, si të thuash në anën tjetër të medaljes, ku gëlojnë hijedrita të frikshme, shenjëzon binarët ku maturohet artistikja autoriale. Koha shkrimore, që i përket vitit 1978, jep shenja të mjafta për shtigjet e artit nëpër të cilat lëvrohej krijimtaria letrare e Trebeshinës. Dehistorizmi ose çmitizimi i përfunduar, si dhe zbulesa e rrafsheve shpirtërore aq të pafundme, krijon aureolën e artthënies letrare…
/GSH/BW/