LAJMI I FUNDIT:

Megasamit i investimeve në Prishtinë, merr pjesë dhe Deutsche Bank

Megasamit i investimeve në Prishtinë, merr pjesë dhe Deutsche Bank

Më 25 dhe 26 qershor 2008 Grand Hoteli në Prishtinë do të shndërrohet në arenën më të madhe të investimeve që ndonjëherë është organizuar në Kosovë. Një samit gjigant me biznese dhe investitorë të fuqishëm pritet të mbahet javën e ardhshme në Prishtinë. Prezentë do të jenë kompanitë me famë botërore si Koc Group nga Turqia, Deutsche Bank, ENEL, etj.

“European Finance Convention” dhe “Crimson Capital” i kanë bashkuar forcat për të organizuar këtë konferencë të madhe që do të mbledhë në një vend te vetëm investitorët dhe njerëzit e biznesit.

“Republika e Kosovës, e cila sapo ka shpallur pavarësinë e saj, ofron një numër të madh mundësish për investim dhe biznes. Kjo konferencë do t’i bëjë bashkë investitorët dhe kompanitë vendore, akterët kyç të Qeverisë së Kosovës, përfaqësuesit e qeverive të huaja, komunitetin e donatorëve dhe organizatave ndërkombëtare”, ka bërë të ditur Michael Gold, drejtor i kompanisë Crimson Capital.

Në këtë samit do të diskutohen tema të rëndësishme si qasja në financa, tregtia, investimet, agrobiznesi, përpunimi i drurit, teknologjia informative, materialet ndërtimore dhe ndërtimtaria, infrastruktura, privatizimi, mjedisi i biznesit, energjetika dhe minierat, mundësitë ekzistuese për biznes dhe investim, dhe klima e re politike dhe rajonale.


“Qëllimi i këtij samiti është të përhapim porosinë tek investitorët e huaj, kompanitë, institucionet e huaja financiare, dhe tek diaspora kosovare që, Kosova me të vërtetë është e hapur për biznes dhe është një destinim fitimprurës për investime, tregti, partneritet, ndërmarrje të përbashkëta, kontraktim të shërbimeve dhe prodhim”, ka thë Gold.

Aty do të jenë investitorët e huaj, kompanitë e huaja, kompanitë vendore dhe investitorët vendor, bankat, zyrtarët e lartë të Qeverisë së Kosovës, përfaqësues të qeverive të huaja dhe donatorët. /Telegrafi/