- Tekstet e përbashkëta shkollore, një rrugë e domosdoshme për shqiptarët -

Shqiptarë në Shqipëri, shqiptarë në Kosovë, shqiptarë në Maqedoni, Shqiptarë në Mal të Zi, shqiptarë … jemi mësuar TV dëgjojmë shpesh këto fjala, e për çudi që të gjithë kanë të përbashkët kombin, gjakun, gjuhën, traditat, kulturën, e shumë gjëra tjera që na shtyjnë të kujtojmë historinë tonë të dhimbshme, sidomos të copëtimit të trojeve tona dhe shpërndarjes së tyre në shumë vende në mënyrë të padrejtë dhe mizore.


Ende jemi duke i bartur këto pasoja në shumë fusha, në mesin e tyre edhe në arsim, në fushën më të ndjeshme dhe bazë të një shoqërie. Dihet mirë se si ia ka dalë mbanë në të kaluar populli jonë, për të ndërtuar një sistemin edukimi dhe arsimimi në të gjitha trevat shqiptare, me shumë peripeci për të hapur shkolla të reja, për të nxjerrë edukues, për të botuar libra në gjuhën amtare, etj. Dhe duke i përballuar të gjitha pengesat nga pushtuesit e shumtë që kanë udhëhequr me vendin tonë.

Tani jemi në një situatë shumë më të përshtatshme dhe më të lehtë për të vepruar e ndërmarrë hapa të ndryshëm në krijimin e lidhjeve më të fuqishme në mes vendeve tona ku jetojnë shqiptarët. Një mendim i shumëpritur i Sali Berishës rreth nxjerrjes së teksteve shkollore të përbashkëta në mes Kosovës dhe Shqipërisë, duhet të jetë një lajm shumë I mirë për të gjithë ne, duke synuar ngritjen e nivelit arsimor në të dy vendet. Një hap i tillë është dashur të bëhet shumë më herët, sidomos menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë, është dashur të ketë lëvizje në këtë drejtim dhe të shkojmë drejt unifikimit të sistemit tonë arsimor.

Kosova ka më së shumti nevojë që të bëjë ndryshime në tekstet shkollore, duke i bërë ato më të kapshme për nxënësit, të mos jenë të ngarkuar si tani dhe të lehtësoj punën e mësimdhënësve për të arritur sa më lehtë qëllimet që paraqiten në arsim. Një gjë e tillë është më së lehti të arrihet me një bashkëpunim të ndërsjellët me Shqipërinë, duke pasur parasysh se sistemi i tyre arsimor është para nesh ne shumë aspekte, por gjëja më e mirë do të ishte të jetësohet ideja rreth krijimit të teksteve të përbashkëta shkollore.

Pse të kemi tekste shkollore të ndara nga ato të Shqipërisë, kur çdo gjë tjetër kemi të përbashkët me ta dhe ne vet me vullnetin tonë ende të ushqejmë ndarjen jo vetëm territoriale, por edhe shpirtërore. Është e domosdoshme një veprim i tillë nga të dy Ministritë e Arsimit (Kosovës dhe Shqipërisë) që të kemi një rrugë të përbashkët drejt arritjes së qëllimit kombëtar në të gjitha fushat e jetës.

Një ëndërr e kamotshme e gjithë neve që jetojmë në Kosovë dhe Shqipëri është realizuar para pak kohësh me ndërtimin e autostradës që lidh këto dy vende, tani kemi mundësi që të jetësojmë edhe unifikimin e teksteve shkollore dhe kështu dal nga dal të largojmë barrierat që kanë qenë vendosur qysh herët pa vullnetin tonë.

Shpresojmë se një ditë të kemi tekste shkollore të përbashkëta dhe shkolla funksionale për të konkurruar me vendet në zhvillim.

(Autori është mësimdhënës, student në Master)