Mbyllet gazeta shqipe "Zhurnal plus"

"Nuk ia dolëm të mbajmë në këmbë këtë projekt, jo sepse nuk patëm vullnetin dhe guximin intelektual, jo sepse na mungoi dëshira e zjarri, pasioni dhe bindjet, por fakti se sa e vështirë është beteja me “mullinjtë e erës”. Edhe pas 12 vitesh, ata “mullinj të erës” kundër të cilëve u ngrihet shqiptarëve në luftë, po punojnë fatkeqësisht sot me urdhra politikë, për t’i zënë frymën fjalës së lirë shqipe, në fund edhe për t’i mbyllur ato", thuhet në njoftimin e redaksisë.
Redaksia thekson se paralajmërimet se mediat shqipe janë ngushtë dhe larg hises që u takon hasën në vesh të shurdhër nga institucionet dhe politika. "Zhurnal plus" thekson se partia në pushtet, VMRO-DPMNE e përkrahur, me “heshtje aktive” edhe nga BDI tash me plotë të drejtë po e rrumbullakon konceptin e mbylljes së mediave shqipe, duke mos qenë bindës se pas tërë këtyre viteve, ata kanë bërë diçka që mund te regjistrohet si përparim, së paku për mediat shqipe.
"Ne në vazhdimësi si redaksi kemi alarmuar për borxhin që na e kanë institucionet e vendit, ku bëjnë pjesë VMRO-DPMNE e BDI, si subjekt shqiptar. Borxhi i institucioneve, konkretisht i Ministrisë së Financave dhe i Agjencive të marketingut ndaj 'Zhurnal plus' nga fillimi e deri më sot në total është rreth 100 mijë euro! Kjo bllokadë kishte pasoja ndaj funksionimit të Redaksisë", theksohet në këtë reagim.
Redaksia vlerëson se në këtë katrahurë mediale, i pafuqishëm u gjet vetë Ali Ahmeti po dhe kryeministri Nikolla Gruevski. "I pari për faktin se në ka përvojë në mbylljen e mediave, (Flaka, Fakti, Koha e Re, përfshirë edhe “Zhurnal plus”) ndërsa i dyti se shumë me pedanteri di t’i varfërojë mediat shqipe. Edhe kritikat e komisarit evropian për zgjerim Shtefan Fyle për ngulfatjen e lirisë së mediave në vendet aspirantë për anëtarësim në BE deri më tani ishin të arsyeshme, sidomos në rastin e Maqedonisë", theksohet në reagimin e redaksisë së "Zhurnal plus".
Redaksia njofton se pas gjithë kësaj, lexuesit e gazetës do të mund të njoftohen në agjencinë e lajmeve zhurnal.mk. /Telegrafi/




















































