Futbollisti i Manchester Unitedit, Mason Greenwood, ka thënë se ndihet i lehtësuar pasi u hodhën poshtë akuzat ndaj tij për sulm seksual dhe tentativë përdhunimi.
Pas tërheqjes së dëshmitarëve kyçë, rasti është ndërprerë dhe 21-vjeçari ka thyer heshtjen duke lëshuar një deklaratë.
“Jam i lehtësuar që kjo çështje tani ka përfunduar dhe dua ta falënderoj familjen time, të dashurit dhe miqtë për mbështetjen e tyre. Nuk do të ketë asnjë koment të mëtejshëm në këtë moment”, është shprehur lojtari.
Manchester Unitedi lëshoi gjithashtu një deklaratë duke thënë se klubi është njoftuar në lidhje me vendimin e Shërbimit të Prokurorisë që të gjitha akuzat kundër Greenwood janë hequr.
“Klubi tani do të kryejë procesin e vet përpara se të përcaktojë hapat e ardhshëm”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Mësohet se sulmuesi nuk do të kthehet te Djajtë e Kuq derisa të përfundojë një hetim i brendshëm.
Pasditen e të enjtes u mor një vendim nga Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) për të ndërprerë ndjekjen penale në përputhje me Kodin për Prokurorët e Kurorës.
Lojtari u arrestua për herë të parë në janar të vitit të kaluar për akuzat në lidhje me një femër të re (që asokohe është etiketuar si e dashura e tij), pasi imazhet dhe videot u postuan në internet. Më pas u pezullua nga Unitedi, u hoq nga loja e FIFA 22 dhe atij ia kthyen shpinën të gjithë duke nisur nga sponsorët, bashkëlojtarët e përfaqësuesja.
“Ne e kemi për detyrë t’i mbajmë çështjet nën shqyrtim të vazhdueshëm. Në këtë rast, një kombinim i tërheqjes së dëshmitarëve kryesorë dhe materialeve të reja që dolën në dritë, nënkuptonin se nuk kishte më një perspektivë realiste për dënim. Në këto rrethana, ne kemi për detyrë ta ndërpresim rastin. Ne ua kemi shpjeguar vendimin tonë të gjitha palëve”, ka thënë një zëdhënës i CPS. /Telegrafi/
Mason Greenwood has released a statement in which he says he is "relieved" after attempted rape and assault charges against him were dropped by the Crown Prosecution Service. pic.twitter.com/CYFSonRKQ4
— Sky Sports News (@SkySportsNews) February 2, 2023