LAJMI I FUNDIT:

Marrëveshja ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, ministri Vengu jep detaje

Marrëveshja ushtarake mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë, ministri Vengu jep detaje

Ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Pirro Vengu, ka shpjeguar në emisionin ‘Debat’  në A2 CNN, detaje të marrëveshjes ushtarake 3-palëshe mes Shqipërisë, Kosovës dhe Kroacisë.

Vengu tha se marrëveshja mes tre vendeve ka parime shumë të qarta, të cilat sipas tij, bazohen në prioritetet strategjike të BE-së në rajon.

Ai tha gjithashtu se ka edhe elementë të tjerë në marrëveshje, që kanë të bëjnë me rigjenerimin e industrisë ushtarake. Vengu shtoi se jemi duke synuar mundësinë e prokurimit të përbashkët të mjeteve, pajisjeve dhe sistemeve të mbrojtjes.


Ministri shtoi gjithashtu se marrëveshja mes tre vendeve është një iniciativë e hapur dhe ftoi edhe Serbinë që të behej pjesë e saj, teksa tha më tej se Beogradi dhe Presidenti Vuçiç ka qenë paragjykues për këto nisma.

“Shqipëria si vend amë ka përgjegjësi përtej shqiptarëve të Kosovës, por edhe për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi e Serbisë. Marrëveshja jonë ka parime shumë të qarta. Bazohet mbi kompasin dhe prioritetet strategjike të BE në rajon, mbi prioritetet strategjike të NATO-s në rajon dhe është thjeshtë një kërkesë për më shumë vëmendje të të dyja këtyre entiteteve përsa i përket sigurisë në rajon, siç e lexon Kroacia, Shqipëria dhe Kosova.

E dyta ne kemi edhe elementë të tjerë në marrëveshje, që kanë të bëjnë me rigjenerimin e industrisë ushtarake në vendet tona. Jemi duke synuar mundësinë e prokurimit të përbashkët të mjeteve, pajisjeve dhe sistemeve të mbrojtjes. Kjo pasi e gjithë Europa është në një situatë ku duhet të rrisim shpenzimet ushtarake për efekt të sigurisë kolektive.

Dhe ne nuk mund ta konsiderojmë të plotë mekanizmin e sigurisë kolektive, duke e lënë Kosovën mënjanë këtyre mekanizmave. Kjo është një iniciativë e hapur, që nëse vende të tjera të rajonit, përfshirë edhe Serbinë, kanë dëshirë që t’i atashohen këtij mekanizmi, patjetër që e kanë mundësinë që t’i atashohen këtij mekanizmi.

Më bën të kuptoj nga të gjitha këto lexime që kam parë dhe reagime të përfaqësuesve të ndryshëm në Serbi, që ata nuk e dëshirojnë një gjë të tillë, e paragjykojnë çdo bashkëpunim të palëve të tjera për vetëmbrojtjen e tyre dhe jo kundra Serbisë”, tha Vengu, shkruan A2 CNN.

Pakti që ka ndezur reagime të forta në Beograd, sipas Vengut është një aleancë e natyrshme midis tre vendeve që përballen me kërcënime të ngjashme për sigurinë e tyre.

“Nisma nuk është aspak e diskutueshme. Është një aleancë trepalëshe krejt e natyrshme, fillimisht e artikuluar para një viti në tryeza të përbashkëta rajonale të stafeve të Ministrive të Mbrojtjes dhe nga paraardhësi im me homologun kroat. E rishtruar në Ministerialin e fundit që patëm në NATO në fillim të këtij viti ku pata një takim me homologun kroat dhe konsultime të përbashkëta me homologun kosovar. Erdhi natyrshëm si rezultat i leximit të njëmend të kërcënimeve që i kanosen rajonit nga pikëpamja e sigurisë dhe mbrojtjes, ndërhyrjeve të pala të treta në rajon, kërcënimet hibride, nga pikëpamja kibernetike, nga pikëpamje e influencimit dhe dezinformimit në debatet tona publike. Pra një sërë elementesh që i lexojmë njësoj”, tha Vengu në “Debat” nga Alba Alishani në A2 CNN.

Në vijim, ministri i Mbrojtjes u shpreh se një nismë e tillë i shkon për shtat rrugëtimit të Kosovës drejt NATO-s dhe BE-së, pasi gëzon mbështetjen e dy vendeve anëtare të Aleancës në çdo diskutim që bëhet në paradhomat e saj.

“E dyta ne e mbështesim Kosovën si dy vende aleate, anëtare të NATO-s. Kosova është e njohur nga Kroacia dhe për ne përbën një prioritet nga pikëpamje s sigurisë kombëtare dhe e politikës sonë të jashtme dhe sa herë na jepet mundësi ta mbështesim Kosovën në tryeza rajone, të cilat janë paradhomat e anëtarësimit në BE dhe NATO, ne e bëjmë në mënyrë konsistente. Dhe një nga pikat e marrëveshjes trilaterale është mbështetja e palëkundur e Kroacisë dhe Shqipërisë për ecurinë e Kosovës në këto nisma rajonale, siç është Karta e Adriatikut e cila është efektivisht paradhoma e një vendi para se të anëtarësohet në NATO”, deklaroi Vengu. /Telegrafi/