Maqedoni, të martën vendoset nëse do të shpallet epidemi fruthi në gjithë shtetin

Komisioni për sëmundje infektive të martën do të deklarohet nëse do të shpallë epidemi të fruthit në nivel të gjithë shtetit.
Paraqitja e rasteve të reja vazhdon akoma. Në javën e fundit u regjistruan 126 persona të prekur nga fruthi, që është numri më i madh deri tani, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Thuajse gjysma prej tyre (57) janë në Shkup, ndërsa ka të prekur edhe gra shtatzëna, prej të cilave njëra ka humbur fëmijën në muajin e gjashtë. Deri tani nga fruthi janë sëmurë edhe mbi 100 punëtorë shëndetësor.
Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, thotë se numrat nuk janë shqetësues, pasi epidemiologët kanë paraparë këtë dhe shtoi se kapacitetet e Klinikës Infektive dhe njërit departament të Klinikës së Fëmijëve në Kozle janë të gatshme të përballen me fruthin.
Ndryshe, organet kompetente apelojnë për vaksinim, sidomos të fëmijëve. Nga fillimi i epidemisë së fruthit në disa qytete, deri tani janë regjistruar 960 raste./Telegrafi/




















































