Maqedoni, shqiptarëve iu mohohet festa e 28 Nëntorit

Kështu thuhet në reagimin e Partisë Demokratike Shqiptare, e cila dënoi ashpër mbivotimin e shqiptarëve nga deputetët maqedonas, të cilët një ditë më parë votuan kundër propozimit të kësaj partie, që 28 Nëntori të shpallet festë zyrtare në Maqedoni.
Sipas PDSH-së Marrëveshja e Ohrit që mbështetet nga BDI-ja nuk parandalon majorizimin e shqiptarëve.
Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së theksoi “Habit edhe hipokrizia e BDI-së sepse nga një anë glorifikojnë Marrëveshjen e Ohrit në ndërkohë që ajo marrëveshje u pamundëson shqiptarëve realizimin e aspiratave të tyre. Kërkojnë nga ne të sigurojmë shumicën dhe harrojnë se ata janë në koalicion me VMRO-DPMNE-në dhe legjitimitetin që kanë nga shqiptarët e shfrytëzojnë për të fshehur krimet që bëhen ndaj tyre. Vrapojnë të bëhen pjesë e amendamenteve të VMRO-së dhe nuk detyrojnë VMRO-në të përkrah një ligj që është në të mirë të votuesve shqiptarë”.
Nga partia e Ali Ahmetit-BDI, thanë se partia e Thaçit nuk është e sinqertë në kërkesën e saj, pasi PDSH, festën e flamurit ka mundur ta zyrtarizojë që në vitin 2007 kur ishte në pushtet, por një gjë të tillë nuk e bëri.
Deputetët maqedonas të hënën refuzuan propozimin e PDSH-së që 28 Nëntori të shpallet festë për shqiptarët në Maqedoni. /Tch/Telegrafi/
















































