LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, pas festave të Krishtlindjeve do të diskutohet për kandidatët për ambasadorë

Maqedoni, pas festave të Krishtlindjeve do të diskutohet për kandidatët për ambasadorë

Pas festave të Krishtlindjeve do të dihet nëse ish-drejtori i Agjencisë për Siguri Kombëtare, Viktor Dimovski do të shkojë për t’u bërë ambasador në Francë. Ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë sot se pas festave është planifikuar një takim me Presidentin dhe Kryeministrin për të diskutuar për të gjithë listën e kandidatëve për pozitat vakante të ambasadorit.

“Më 9 të këtij muaji planifikojmë të ulemi me Presidentin dhe Kryeministrin jo vetëm për atë temë, por për të gjithë listën që kam dërguar për kandidatët e rinj, rreth 14 kandidatë. Është një propozim që duhet filtruar, por e gjithë lista, përfshirë ambasadorin në Paris, do të diskutohet me presidentin nga 9 janari”, tha Osmani.

Çështja nëse ish-drejtori i ASK-së Dimovski do të shkojë për ambasador në Paris është ngritur në opinion për rastin e dhënies së shtetësisë së RMV-së shtetasit rus Oleksandr Onishçenko, i cili është në listën e zezë të SHBA-së./Telegrafi/