Me manovrën e paparë që 50 vjet, Trump ndalon ndihmat ndërkombëtare

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar një letër kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, ku njofton se nuk do të shpenzojë fondet prej 4.9 miliardë dollarësh të miratuara nga Kongresi për ndihmë të jashtme.
Kjo lëvizje, që po konsiderohet si një mënyrë për të anashkaluar Kongresin, është bërë përmes një mekanizmi të rrallë të njohur si "shfuqizim i fshehtë".
Ky mjet ligjor, i cili përdoret për të bllokuar fondet pa kaluar zyrtarisht nëpër procesin legjislativ, i jep presidentit mundësinë të propozojë anulimin e fondeve në afërsi të përfundimit të vitit fiskal – që mbyllet më 30 shtator – duke kufizuar kohën e reagimit të Kongresit brenda afatit 45-ditor.
Nëse Kongresi nuk vepron brenda kësaj kohe, fondet mbesin të papërdorura.
Ky është rasti i parë në gati 50 vjet që një president amerikan përdor këtë procedurë, pas rastit të fundit të regjistruar në vitin 1977 nga Jimmy Carter.
Letra u bë publike të premten nga Zyra e Menaxhimit dhe Buxhetit përmes platformës X, ku u konfirmua se fondet që do të shkurtohen përfshijnë buxhetin e Departamentit të Shtetit dhe të USAID.
Sipas mediave të huaja, këto janë ndër prioritetet e para të Trumpit që prej rikthimit të tij në detyrë këtë vit.
Vendimi është në përputhje me politikën e Trumpit për të kufizuar rolin e agjencive federale dhe për të rritur ndikimin ekzekutiv mbi buxhetin, një qasje që ka ngjallur kritika të shumta.
Sekretari i Shtetit Marco Rubio deklaroi se USAID tashmë është në proces mbylljeje dhe falënderoi drejtorin e buxhetit, Russ Vought, për drejtimin e këtij transformimi.
Kjo ndërhyrje e fundit ka shkaktuar reagime të menjëhershme në Kongres.
Senatorja republikane Susan Collins e cilësoi këtë veprim si një shkelje të qartë të Kushtetutës, e cila, sipas saj, i jep Kongresit autoritetin e vetëm mbi shpenzimet federale.
Ndërsa lideri i demokratëve në Senat, Chuck Schumer, paralajmëroi se një veprim i tillë rrezikon të dëmtojë procesin e rregullt të financimit qeveritar.
Në total, fondet që pritet të bllokohen përfshijnë: 3.2 miliardë dollarë për ndihma zhvillimi, 520 milionë për kontributet në OKB, 838 milionë për operacionet ndërkombëtare të ruajtjes së paqes dhe 322 milionë për promovimin e demokracisë jashtë vendit.
Ndryshe, kjo nuk është hera e parë që administrata Trump synon të shkurtojë ndihmat e jashtme.
Më herët gjatë vitit, Kongresi miratoi shkurtimet prej 9 miliardë dollarësh që preknin kryesisht financimin për transmetuesit publikë dhe programet ndërkombëtare të ndihmës.
Po ashtu, në shkurt, administrata deklaroi se do të eliminojë thuajse të gjitha kontratat e USAID-it dhe të zvogëlojë në mënyrë drastike ndihmat ndërkombëtare, që kapin vlerën e rreth 60 miliardë dollarëve.
Prej atëherë, USAID është shpërbërë në praktikë, ndërsa përgjegjësitë për programet e mbetura janë transferuar nën kontrollin e Departamentit të Shtetit. /Telegrafi/








































