LAJMI I FUNDIT:

Malajzia synon tregun kosovar

Malajzia synon tregun kosovar

Biznesmenë dhe investitorë nga shteti i largët i Malajzisë gjatë një tryeze të organizuar të martën në Prishtinë, kanë shprehur interes që të investojnë në Kosovë.

Gjatë kësaj tryeze ku temë diskutimi ishte “Forcimi i marrëdhënieve të bashkëpunimit në mes të Republikës së Kosovës dhe Malajzisë", dhe e cila u organizua nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në bashkëpunim me Zyrën Ndërlidhëse të Malajzisë dhe Agjencinë për Tregti të Jashtme të Malajzisë MATRADE, i cila funksionon në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Malajzisë, është vlerësuar se ekzistojnë mundësi të mëdha për bashkëpunim ekonomik me Malajzinë.

“OEK-ja do përkrahë çdo iniciativë të bashkëpunimit nga ana e biznesmenëve nga të dy shtet”, tha gjatë kësaj tryeze kryetari i OEK-ut, Besim Beqaj.

Gjatë këtij takimi Beqaj foli edhe për mundësitë dhe sektorët ku mund të bashkëpunohet. “Ne do angazhohemi për format më të avancuara të bashkëpunimit ekonomik që nënkupton të hulumtohen mundësitë e investimeve në prodhim në Kosovë, transferim të teknologjisë si dhe të sistemit Knoë Hoë”, tha Beqaj.


Në anën tjetër përfaqësuesi i MATRADE për Evropë, Silmi Abdurrahman, shprehu optimizëm sa i përket mundësive të bashkëpunimit në mes të dy shteteve në të ardhmen.

Në takim u vlerësua se kontribut të madh për bashkëpunim të deri tashëm në mes të bizneseve të Kosovës dhe Malajzisë ka dhënë edhe Zyra Ndërlidhëse e Malajzisë në Kosovë, dhe shefi i saj Mustafa Mansur.

“Zyra a Malajzisë, përmes bashkëpunimit të suksesshëm në mes të OEK dhe MATRADE u ka bërë të mundur shumë biznesmenëve kosovarë ta vizitojnë Malajzinë”.

Ndërsa në fund të takimit u konkludua se bashkëpunimi ekonomik në mes dy shteteve është një potencial i pa shfrytëzuar dhe në të ardhmen duhet të shfrytëzohet në interes të dy shteteve. /Telegrafi/