Site icon Telegrafi

Lushtaku paralajmëroi fundin politik të Limajt, reagojnë nga Nisma: Për këtë vendosim ne

Nënkryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku ka paralajmëruar fundin politik të Fatmir Limajt, pasi ky i fundit ka shprehur gatishmërinë për të shkuar në një koalicion qeverisës me LVV-në.

Nëse do të shkonte në koalicion me Kurtin, Lushtaku theksoi se Limaj do të merrte fund politikisht, ndonëse shtoi se nuk e beson shumë se kjo mund të ndodhë.

“E vërteta është që unë e kam bashkëluftëtar, kemi hëngër dreka e darka e kemi komuniku bashkë, dëshira jem ka qenë gjithmonë që ai të kthehet në shtëpinë e familjen e vet, në Partinë Demokratike të Kosovës, dhe Fatmir Limaj nëse do që përfundimisht me përfundu politikisht, mundet me shku, por nuk e besoj edhe këtë pjesë”, u shpreh Lushtaku.

Lexo po ashtu Lushtaku: Nëse Limaj do që të marrë fund politikisht, mund të shkojë në koalicion me Kurtin

E kjo deklaratë e tij ka nxitur reagime në partinë e Nismës Socialdemokrate. Abreshë Krasniqi e cila pritet të jetë deputete e ardhshme e Nismës në Kuvendin e Kosovës, i ka reaguar Lushtakut duke thënë se për fundin politik të Limajt, vendos partia.

“Të dashur qytetarë të Republikës së Kosovës dhe veçanërisht ju votuesit e Nismës dhe të vizionit politik të Fatmir Limajt. Ju që, edhe kur të tjerët e dëshironin dhe punuan për fundin politik të Limajt, ne nuk lejuam, dhe për këtë pjesë prapë vendosim ne.

Rikthimi i Limajt në Kuvendin e Republikës së Kosovës disa eksponentëve politik iu ka dhimbur, por mos harroni,…Shihemi për të mirë të Kosovës gjithsesi”, ka shkruar Krasniqi. /Telegrafi/

Exit mobile version