Site icon Telegrafi

Lushaku- Sadriu: Qeveria po bën fushatë propaganduese me gratë viktima të dhunës

Kryetarja e Forumit të Gruas së LDK-së, Jehona Lushaku- Sadriu ka thënë se Qeveria Kurti po bën fushatë propaganduese me gratë viktima të dhunës.

Ajo ka thënë se viteve të fundit dhuna ndaj grave ka shënuar rritje, transmeton Telegrafi.

“Dje, filluan 16 Ditët e Aktivizmit Kundër Dhunës ndaj Grave dhe Vajzave. Sipas të dhënave nga Policia e Kosovës, përgjatë viteve të fundit dhuna ndaj grave është duke shënuar rritje. Ashtu siç ka konstatuar Gjykata Kushtetuese në mars të këtij viti, shteti jonë ka dështuar të marrë masa për parandalimin e dhunës ndaj grave. Gati çdo e dyta grua ka përjetuar dhunë në familje. Në këtë katrahurë mosveprimi, dje Ministria e Drejtësisë, duke u dërguar mesazhe në telefona privat qytetarëve të Kosovës dhe duke ju thënë se gjoja Ministria paska ashpërsuar dënimet, bëri propagandë mashtruese duke dashur ta prezantojë veten si shpëtuese të grave”, thotë ajo.

Lushaku – Sadriu ka shkruar se “me këtë rast, Qeveria Kurti dëshmoi që është mashtruese- se nuk është në kompetencën e saj ashpërsimi i dënimeve; dhe është e paaftë- se nuk ka ka asnjë rezultat në ato që ka kompetencë”.

“Këta janë qeveritarë që as nuk dinë e as nuk mësojnë. Veç mashtrojnë. Padituria e tyre është e frikshme. Paaftësia e tyre qeverisëse është e dëmshme. E propagandën mashtruese e kanë të neveritshme”, vijon reagimi.

Mes tjerash, ajo ka theksuar se sot  Ministria e Drejtësisë duhet të na jep vetëm dy përgjigje:

1. A e ka siguruar sistemin elektronik të monitorimit të burgosurve?
2. Sa buxhet enkas ka ndarë për tu ngritur kapacitetet e gjyqtarëve për trajtimin me prioritet të rasteve të dhunës në familje?

Tutje, ajo ka shkruar se edhe raporti i BE-së për Kosovën tregon mungesën e vullnetit të Qeverisë për dhunën në familje.

“Se sa ka shënuar arritje Qeveria për të adresuar dhunën me bazë gjinore, tregojnë rastet e vrasjeve makabre në dy vitet e fundit të grave nga ish të burgosur të pambikëqyrur; poashtu, tregon Raporti i BE-së për Kosovën i publikuar këtë muaj, e që konstaton mungesë vullneti e dështim të institucioneve në adresimin e dhunës në familje. Është për keqardhje se si Qeveria bën fushatë politike me gratë viktima të dhunës, duke bërë kështu propagandë mashtruese me një çështje kaq të ndjeshme; çështjen e dhunës ndaj grave”, ka pohuar ajo. /Telegrafi/

Exit mobile version