Me herët avokati i Elivar Golemit Fatos Shanaj bëri me dije se do kërkonte heqjen e masës së “arrestit me burg” për ish kryeinspektoren e Bankës së Shqipërisë. Shanaj argumentoi se nuk plotësohen kriteret që kryeinspektorja Golemi të qëndrojë në burg.

"Ne kërkojmë ndryshimin e masës se sigurisë dhënë nga gjykata dhe që Elivari të gjykohet në gjendje të lirë. Shkaku që është pretenduar nga prokurori nuk është me, dokumentimet janë bërë dhe provat janë mbledhur, qëndrimi i saj ne burg është i pakuptimte,” tha ai.


Ish-kryeinspektorja e BSH, Elivar Golemi mori masën arrest me burg nën akuzën e shpërdorimit të detyrës pas skandalit të vjedhjes së 713 milionë lekëve në Bankën e Shqipërisë. Sipas prokurorisë, Golemi, me funksion Inspektore e Përgjithshme e Bankës së Shqipërisë, kishte kryer disa shkelje, pasi nuk kishte ushtruar auditim konform ligjit për Bankën e Shqipërisë, nuk kishte realizuar kontrolle periodike, nuk i kishte dorëzuar Këshillit Mbikëqyrës raporte e rekomandime për llogaritë dhe regjistrat, si dhe për procedurat buxhetore kontabël dhe kontrollet e Bankës së Shqipërisë.

Gjithashtu, prokuroria arsyetonte se Golemi nuk kishte ushtruar auditim financiar periodik në Departamentin e Emisionit për vitet 2012, 2013 dhe 2014, pikërisht në vendin dhe gjatë periudhës kohore kur dyshohet se është kryer vjedhja. /Telegrafi/