Ligsht moralisht
- Në këtë vend fjalët moral, ndërgjegje e përgjegjësi e kanë humbur kuptimin. Vota kërkojnë edhe ata që kanë probleme me drejtësinë. Mund edhe të fitojnë dhe të udhëheqin komuna, madje -
Njëri është i dyshuar për veprën penale të detyrimit dhe rrëmbimit, kurse tjetri pritet të akuzohet për shkaktim aksidenti, në të cilin një i ri vdiq e katër të tjerë u plagosën. Nuk bëhet fjalë për persona ordinerë, por për personalitete politike. Madje për kandidatë që pretendojnë ta rimarrin pushtetin në zgjedhjet e 15 nëntorit.
Nuk është hiç me rëndësi fakti se të dy këta politikanë, Xhabir Zharku e Bajrush Xhemajli, i takojnë PDK-së. Ata do të mund të ishin kandidatë edhe të ndonjë tjetër partie. E rëndësishme është se këta njerëz, të cilët kanë probleme me prokurori e gjykata, pa i brejtur fare ndërgjegjja pranojnë të kandidohen për kryetarë komunash, ndonëse në secilin vend normal, në mos për asgjë tjetër, të paktën për shkaqe morale do të duhej të ofronin dorëheqje moti.
Zharku i arrestuar dy herë - në nëntor të vitit të kaluar dhe në korrik të këtij viti - nuk e ka parë të udhës të tërhiqet nga detyra, as partia nuk e ka shkarkuar. Njësoj ka vepruar edhe Xhemajli - pavarësisht përfshirjes në aksidentin e rëndë të 21 majit.
Kur të fillojë fushata zgjedhore, më 15 tetor, të dytë do të mbajnë takime me qytetarë e do t’iu flasin atyre për moral e ndershmëri. Do të bëjnë premtime e do të propozojnë zgjidhje. Por, kurrsesi nuk do të flasin për problemet që i kanë me drejtësinë. Xhemajli nuk do të tregojë se në momentin e aksidentit po e ngiste veturën gati një herë më shpejt se që ishte e lejueshme, e Zharku nuk do ta sqarojë rastin për të cilin dyshohet. Si të mos ketë ndodhur asgjë.
Xhemajli e Zharku mund të jenë “burra të mirë”, në shpirt patriotë dhe që i djeg atdhedashuria. Ata edhe mund të kenë punuar fort në komunat e tyre. Megjithatë, është e pamoralshme që ata ofrohen si alternativë në zgjedhje, të veshur me petkun e të dyshuarve për vepra penale.
Në listat me emrat e kandidatëve të partive për zgjedhje mund të ketë edhe emra të tjerë njerëzish, të cilët kanë probleme me ligjin. Nëse partitë i kanë kandiduar e ata kanë pranuar, gabimisht kanë vepruar që të dyja palët. Përveç atributeve tjera - e “pastërtia” me ligjin është më kryesorja - të gjithë ata që kërkojnë votën më 15 nëntor do të duhej të kenë edhe integritet moral.
Partitë politike është dashur t’i pastrojnë listat nga emra që, në çfarëdo mënyre nuk janë të denjë për të kërkuar vota. Por, duket se në Kosovë kjo nuk çon peshë. Le që nuk hulumtohen thellë biografitë e kandidatëve, por nuk merren parasysh as ato që kanë ndodhur muajt e fundit. Si për inat, qytetarëve iu propozohen edhe kandidatë të dyshuar nga drejtësia.
Në këtë vend fjalët ndërgjegje, përgjegjësi e llogaridhënie e kanë humbur kuptimin. Të paktën te shumica e politikanëve. A ia vlen të flitet për moral?
/Editorial i gazetës “Profil”/


































