Site icon Telegrafi

Lehtësoni dhimbjen e shpinës përmes këtyre ushqimeve

(Foto: Pexels)

Dhimbja e shpinës është një problem i zakonshëm në ditët e sotme dhe shumica e njerëzve ndjejnë dhimbje në pjesën e poshtme të shpinës, e cila shpesh është rezultat i qëndrimit ulur jo të duhur.

Si zgjidhje rekomandohet ushtrimi i rregullt, i cili lehtëson dhimbjen dhe forcon muskujt, por ka edhe ushqime që mund të ndihmojnë.

Ushqimi i pasur me acide omega-3 yndyrore duhet të jetë në menynë e njerëzve me dhimbje shpine. Këto ushqime përfshijnë peshkun, bajamet, arrat, farat e lirit, farat chia dhe më shumë. Këto ushqime do të ndihmojnë në ruajtjen e forcës së kockave. Gjithashtu rekomandohet përdorimi i vajit të ullirit dhe mustardës.

Lexo po ashtu Dhimbjet e fundit të shpinës

Ushqimet me veti anti-inflamatore përfshijnë erëza, si xhenxhefili, kanella dhe speci i kuq, por duhet të konsumohen në sasi të kufizuar. Ato janë të dobishme në reduktimin e inflamacionit. Shafrani i Indisë përmban përbërësin kurkumin, i cili është një ilaç efektiv për dhimbjet e nyjave, ndërsa xhenxhefili dhe hudhra kanë veti anti-inflamatore që lehtësojnë artritin.

Mungesa e proteinave në trup mund të jetë shkaku i dhimbjes së shpinës, ndaj duhet të përfshihet në dietë. Këtë do ta bëni duke konsumuar ushqime të tilla, si vezë dhe qumësht. Proteina ndihmon në zhvillimin e muskujve, gjë që rezulton në lehtësimin e dhimbjeve të shpinës.

Lexo po ashtu Disa ushtrime për të shpëtuar nga dhimbja e shpinës, sugjeruar nga fizioterapeutët

Perimet e gjelbra, si brokoli, lulelakra, lakra dhe spinaqi, janë të pasura me vitamina A, C dhe K, të cilat ndihmojnë në uljen e inflamacionit. Ato përmbajnë përbërësin sulforafan, i cili frenon enzimat që shkaktojnë dhimbje dhe inflamacion të nyjave. Gjithashtu rekomandohet të hani perime me rrënjë, si karota, panxhari dhe kungulli, pasi janë të pasura me antioksidantë. Janë antioksidantët që ndihmojnë në reduktimin e dhimbjeve të gjurit dhe shpinës.

Frutat e freskëta mund të konsumohen çdo ditë, ndërsa mollët, ananasi, boronicat, qershitë, grejpfruti dhe agrumet, përmbajnë flavonoide dhe kanë veti antioksiduese, të cilat e lehtësojnë dhimbjen. /Telegrafi/

Exit mobile version