LAJMI I FUNDIT:

Legalizimi i marihuanës, industri që sjell miliarda

Legalizimi i marihuanës, industri që sjell miliarda
Ilustrim

Dan Adams

Nëse votuesit në referendumin e kësaj vjeshte vendosin pro legalizimit të përdorimit të marihuanës për qëllime rekreative, Masaçusetsi mund të bëhet strehë e një industrie prej 1.1 miliardë dollarë të ardhurash në vitin 2020. Ky është rezultati i një studimi të publikuar javën e shkuar nga “ArcView Market Research” dhe “New Frontier”, kompani të profilizuara në të dhënat dhe investimet e lidhura me marihuanën.

Sipas studiuesve, përfitimet nga shitja e marihuanës rekreative (marihuanës “për të rritur”) do të arrinin në 300 milionë dollarë në 2018-n, që do të ishte i pari vit i plotë ku ky biznes ligjërohej tërësisht. Mandej të ardhurat thuajse do të trefishoheshin në më shumë se 900 milionë dollarë në vitin 2020, dhe së bashku me rritjen e vazhdueshme që pritet të ketë shitja e marihuanës mjekësore, tregu do të kapte vlerën e 1.17 miliardë dollarëve.


Edhe pse mbeten spekulative, këto parashikime nuk janë fort larg mundësive reale. Shitjet e marihuanës rekreative në Kolorado kapën vlerën 996 milionë dollarë vitin e kaluar, duke i sjellë shtetit rreth 135 milionë dollarë të ardhura nga taksat. Parashikimet e “ArcView”/“New Frontier” bazohen vetëm në shitjet e drejtpërdrejta të marihuanës dhe jo në përfitimet ekonomike shtesë, të cilat ithtarët e legalizimit i cilësojnë si thelbësore.

Sipas tyre, përveç turizmit, një industri e legalizuar e marihuanës do t’u hapte dyert kompanive që u ofrojnë konsumatorëve aksesorë dhe pajisje të fushës. Para do të bënin edhe firmat e marketingut, këshillimit, logjistikës, dritave për kultivimin e kanabisit, transportit dhe shërbimeve të tjera të kultivimit e shitjes së marihuanës.

Në fakt, biznese të tilla po lulëzojnë në Masaçusets. Më herët gjatë këtij muaji, më shumë se 100 sipërmarrës dhe mbështetës të legalizimit u mblodhën në një takim në qendrën e “Microsoft”-it NERD në Kembrixh. Shumë pak prej pjesëmarrësve i përshtateshin profilit tipik të kapitalistit me kostum; shumica ishin të rinj që prezantuan shpikjet e tyre. Mes produkteve të ofruara ishte një këllëf telefoni që ndihmon në dredhjen e cigareve me marihuanë, modele të reja makinerish për nxjerrjen e tymit të kanabisit apo një program kompjuterik që gjurmon në mënyrë të sigurt dërgesat e marihuanës.

Ndërkohë, marihuana mjekësore në Masaçusets u rrit drastikisht në 2015-n, vit në të cilin u çel e para pikë shpërndarëse e licencuar në këtë shtet në qershor, pas një kalvari të gjatë lejim/ndalimi nga Departamenti i Shëndetit Publik. Aktualisht në Masaçusets funksionojnë gjashtë pika të licencuara shpërndarjeje. Deri në shkurt 2016, 26137 pacientë janë certifikuar për të blerë marihuanë mjekësore në këtë shtet, nga mbi 10 mijë që qe ky numër vitin e shkuar, sipas të dhënave të Departamentit të Shëndetit Publik.

“ArcView” dhe “New Frontier” e çmojnë në 7.9 milionë dollarë vlerën e tregut të marihuanës mjekësore në Masaçusets gjatë 2015-s dhe parashikojnë që shifra të rritet në 78.7 milionë dollarë këtë vit. Studimi në fjalë parashikon që legalizimi i marihuanës rekreative t’i japë një shtysë të mirë edhe tregut të marihuanës mjekësore. Megjithatë, të ardhurat nga kjo e fundit pritet të jenë jo më shumë se 240 milionë dollarë në vitin 2020.

Nëse futet në referendum në verë dhe miratohet nga votuesit në nëntor, ligji i propozuar nga Fushata për Rregullimin e Marihuanës si Alkooli në Masaçusets do të bënte që prej janarit 2018, çdo person mbi 21 vjeç të mund të blinte dhe konsumonte sasi të kufizuara marihuane nga pika shitjeje të posaçme. Gjithashtu ligji do të ravijëzonte një sërë rregullash për konsumatorët, dyqanet, pikat e kultivimit dhe testimit, si dhe prodhuesit e produkteve të ngrënshme të cilët do të kontrolloheshin nga një Komision Kontrolli i Kanabisit i përbërë nga tre anëtarë nën varësinë e zyrës së Thesarit të shtetit.

Puna e agjencisë së re – e cila do të këshillohej nga një komitet prej 15 anëtarësh i përbërë, mes të tjerash, nga pacientë të marihuanës, kultivues, avokatë dhe ekspertë të zbatimit të ligjit – do të financohej nga taksat ndaj dyqaneve dhe nga taksa shpesë prej 3.75 për qind në shitjet me pakicë të marihuanës, që i shtohet taksës ekzistuese prej 6.25 për qind për shitjet në shtetin e Masaçusetsit. Bashkive u lihet në dorë të shtojnë edhe një taksë prej 2 për qind mbi marihuanën.

Kritikët e këtij propozimi – përfshirë senatorin Xhejzon M. Ljuis, i cili udhëtoi drejt Kolorados për të parë nga afër efektet e legalizimit aty – merakosen se pas miratimit të ligjit, të rinjtë do ta kenë më të lehtë qasjen ndaj drogave, për policinë do të jetë më e vështirë të shquajë shoferët e paaftë dhe do të krijohen ngatërresa ngase marihuana mbetet e paligjshme në shkallë federale. Por sipas mbështetësve të legalizimit, këto dhe probleme të tjera potenciale të lidhura me marihuanën trajtohen më mirë me rregullim dhe jo ndalimin e saj. /Marrë nga “Boston Globe”. Përshtati: Enver Bylykbashi/