Me ketë rast zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, tha se ky sektor është krijuar me qëllim të institucionalizimit të regjistrimit të pasurisë së luajtshme (Pengut) dhe për të krijuar një balancë në tregun e kredive në Kosovë, ndërmjet bankave komerciale dhe institucioneve mikrofinanciare, me synimin për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe ekonominë e tregut.

“Duke e ditur se Pengu luan një rol jetësor në transaksionet e kredidhënies dhe kredimarrjes, zbatimi i politikave ekonomike reformatore siguron një rritje ekonomike përmes mbështetjes në garantimin e pengut dhe menaxhimin e përgjithshëm të tij. Ky sektor do të jetë dhe një sfidë drejtë përmbushjes së objektivave tona si Ministri, arritjen e krijimit të një ambienti tërheqës për biznese dhe investime në Kosovë. Po ashtu ky proces do të ndihmojë dhe do të mbështesë sjelljen e investimeve të huaja, do të rrisë aftësitë konkurruese të ekonomisë tonë”, theksoi Kusari-Lila.


Ndërkaq, kryeshefi i ARBK-së, Gazmend Mejzini tha se me “e-regjistrin” e pengut do të bëhen maksimalizimi i efiçiencës, minimizimi i shpenzimeve operacionale, eliminimi i riskut, si dhe do të ketë më shumë transparencë. Po ashtu të dhënat do të jenë në dispozicion për të gjithë qytetarët, si dhe do të krijohen kushte më të mira dhe siguri për kreditë.

"E-regjistrim" elektronik i pengut është projekt modern dhe i shpejtë i e-shërbimit për konsumatorë, që zhvillohet në kuadër të nismave reformuese të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për të bërit biznes në Kosovë. /Telegrafi/