I dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka thënë se marrëveshja për normalizim e arritur vitin e kaluar në Ohër, nuk është implementuar ende.
Ai këtë deklaratë e bëri në Forumin GLOBSEC në Pragë, derisa shtoi se megjithëse marrëveshja është arritur dhe është një hap përpara në procesin e normalizimit, nuk është bërë asgjë për ta implementuar atë.
Lajçak citoi presidentin francez Emmanuel Macron, i cili në një deklaratë të bërë në Beograd ditë më parë tha se “Rruga është e hapur dhe se ajo është Marrëveshja e Ohrit”.
“Mendoj se kemi arritur të bëjmë gjënë më të mirë të mundshme që është marrëveshja për rrugën drejt normalizimit e cila u miratua vitin e kaluar në Ohër, por asnjëherë nuk është zbatuar realisht ose akoma më keq zbatimi nuk ka filluar ende. Dua të citoj presidentin Macron i cili ditë më parë në Beograd tha se rruga është e hapur dhe rruga quhet Marrëveshja e Ohrit. Ajo që mungon është vullneti politik dhe përgatitja e dy shoqërive për të avancuar në këtë rrugë”, tha Lajçak.
Diplomati sllovak tutje theksoi se është e nevojshme që të dy shoqëritë të jenë të gatshme dhe të angazhuara për të vazhduar me implementimin e marrëveshjes.
Lajçak madje u shpreh skeptikë se implementimi i kësaj marrëveshje do të ndodh para zgjedhjeve parlamentare që do të mbahen në shkurt të vitit 2025 në Kosovë.
“Do të ishte naive të pritej një përparim i dukshëm në implementimin e marrëveshjes para këtyre zgjedhjeve.”
Megjithatë, ai ka theksuar rëndësinë e ndjekjes së progresit të rëndësishëm në implementimin e marrëveshjes menjëherë pas zgjedhjeve.
“Ne duhet të sigurojmë që pas zgjedhjeve të shohim përparim të dukshëm në implementimin e marrëveshjes,” tha Lajçak. /Telegrafi/