I dërguari special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, është deklaruar për takimin që ka zhvilluar të hënën me kryeministrin Albin Kurti në Greqi, ku po mbahet edicioni i 25-të i Simpoziumit Ndërkombëtar SYMI.
Lajçak ka thënë se me Kurtin kanë pasur një diskutim të dobishëm për situatën aktuale në veri të Kosovës si dhe rrugën përpara drejt shtensionimit.
“Në Simpoziumin e Symit të këtij viti, pata një diskutim të dobishëm me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për situatën aktuale në veri të Kosovës dhe rrugën përpara drejt de-eskalimit si dhe zbatimit të të gjitha marrëveshjeve të Dialogut”, ka shkruar emisari në Twitter.
At this year’s Symi Symposium, I had a useful discussion with Prime Minister @albinkurti about the current situation in the north of Kosovo and the way forward towards de-escalation and implementation of all Dialogue agreements. pic.twitter.com/A9cC6xAGmh
— Miroslav Lajčák (@MiroslavLajcak) July 18, 2023
Për takimin një ditë më parë ka folur edhe kryeministri Kurti, i cili ka thënë se me Lajçakun është biseduar për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.
“Pata një bisedë të gjatë me të dërguarin special të Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, në margjinat e Simpoziumit të 25-të të SYMI në Kretë. U bisedua për uljen e tensioneve dhe normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë. Ne mbetemi të përkushtuar. Moti ishte shumë më i nxehtë se diskutimi ynë”, është shprehur kreu i ekzekutivit Kosovar.
Ndryshe, këtë javë pritet takim në Bruksel takimi i radhës me palës kosovare dhe asaj serbe për të gjetur zgjidhje për situatën në veri të vendit.
Nga BE-ja kanë konfirmuar për Telegrafin se Lajçak tashmë ka ftuar dy kryenegociatorët për takim.
“Emisari ka ftuar kryenegociatorët në Bruksel këtë javë për të vazhduar diskutimet mbi zbatimin e Marrëveshjes së re për Rrugën drejt Normalizimit dhe Aneksin e zbatimit të saj, me shpresën që palët të bien dakord për hapat e ardhshëm që mundësojnë zbatimin e plotë të Marrëveshjes”, thuhet në përgjigjen e tyre./Telegrafi/