Ky s’është reciprocitet

Rrahim Deda nga Podujeva të enjten e shkeli me kamion tokën e Serbisë. Për më shumë se 30 minuta qëndroi në këtë territor, rreth 100 metra nga vija që e ndanë kufirin e Kosovës me këtë shtet në Merdarë.
Ai tregon se doganierët serbë ia ndërprenë në gjysmë rrugën që kishte marrë për të dërguar lule dielli në tregun fqinj, raporton Express.
E kthyen prapa se nuk e kishte dokumentacionin e kompletuar siç e do ligji në shtetin fqinj.
“Ma kërkuan certifikatën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar të lëshuar nga strukturat paralele. Unë nuk e kisha dhe ky ishte arsyetimi për refuzimin e hyrjes me mall në Serbi”, shpjegon Deda, derisa pret në kolonën e kamionëve për të hyrë në Kosovë.
Ai shpalos të gjitha dokumentet që i ka përgatitur në harmoni me marrëveshjen e arritur më 2 shtator mes Kosovës dhe Serbisë. Por, asnjë nga to nuk i kryejnë punë derisa nuk e ka certifikatën e TVSH-së, kriter ky i ri që kërkojnë doganat serbe. /Telegrafi/
















































