Site icon Telegrafi

Kuvendi Komunal në Kamenicë miraton buxhetin me vlerë 15 milionë euro

Kuvendi Komunal në Kamenicë ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, ku me shumicë votash është miratuar Draft-Buxheti Komunal për vitin 2025.

Buxheti i miratuar ka një vlerë totale prej 15,282,642 Euro.

“Propozim-Vendim për shqyrtimin dhe aprovimin e Draft-Buxhetit Komunal për vitin 2025, Propozim-Vendim për transfer dhe rialokim të mjeteve financiare, Propozim-Vendim për krijimin e kodit për projektet me participim me donatorë, Propozim-Vendim për hapjen e shqyrtimit publik të projekt-dokumentit të Planit Zhvillimor Komunal 2024-2032”, ishin pikat kryesore për shqyrtim në rend të ditës.

Gjatë diskutimeve në Kuvend, u theksua rëndësia e miratimit të Draft-Buxhetit Komunal për vitin e ardhshëm, i cili do të mundësojë zbatimin e projekteve zhvillimore dhe përmirësimin e shërbimeve publike për qytetarët e komunës. Miratimi i këtij buxheti pritet të ndikojë pozitivisht në realizimin e investimeve kapitale dhe të projekteve të tjera me rëndësi për zhvillimin lokal.

Gjithashtu, u diskutua dhe miratua edhe krijimi i kodit për projektet me participim të donatorëve, i cili do të lehtësojë bashkëpunimin me organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe donatorë për financimin dhe realizimin e projekteve zhvillimore në komunë.

Në përmbyllje të seancës, u vendos që projekt-dokumenti i Planit Zhvillimor Komunal për periudhën 2024-2032 të kalojë në shqyrtim publik, për të marrë sugjerime dhe rekomandime nga qytetarët dhe aktorët e tjerë të interesuar para miratimit përfundimtar. /Telegrafi/

Exit mobile version