- Sa larg janë Kosova me Amerikën, Washingtoni me Kaçanikun e Thaçi me Obamën. Sa larg e kemi demokracinë e sovranitetin. E na flasin për progres -

Nga një fshat i Kaçanikut, Hashim Thaçi po thoshte që asnjë personaliteti apo partie politike në Kosovë nuk duhet t’i përputhet qëndrimi në raport me Brukselin e Washingtonin për Kosovën, me atë të Vojislav Koshtunicës. Kryeministri po iu kundërvihej kështu organizatorëve të protestës “kundër protokolleve EULEX-Serbi dhe kundër hipokrizisë së krerëve institucionalë të Kosovës”.

Ai iu bëri thirrje të gjithë atyre që kanë agjendë politike që të formojnë parti politike, të hyjnë në garë dhe të matin autoritetin e vet para popullit të Kosovës dhe “assesi të mos ketë pretendime të dhunës në Republikën e Kosovës, sot kur e gjithë bota është duke shikuar dhe përshëndetur progresin në Kosovë”.

Në këtë mënyrë, Thaçi po iu sillte ndërmend të gjithë atyre që në çfarëdo forme po shpreheshin kundër protokollit EULEX-Serbi se ata po mendonin njësoj si Koshtunica (i cili e quajti poshtërim për Serbinë nënshkrimin e protokolit) dhe po paragjykonte se ata që dalin kundër protokollit, po pretendokan dhunë në Kosovë.

Në të njëjtën ditë që Thaçi “po jepte kushtrimin” në Kaçanik, në Washington dhjetëra-mijëra vetë po protestonin kundër reformave të propozuara të presidentit Barack Obama në fushën e shëndetësisë. Ata thanë se vendi po shkonte drejt socializmit dhe Obamën e quajtën marksist, komunist, tradhtar dhe joamerikan. Madje e krahasuan edhe me Hitlerin.

Nga një qytet tjetër, Minneapolisi, Obama po mbronte reformën e tij - pa përmendur pretendime për dhunë e as pa bërë krahasime. I pari i vendit më demokratik të botës e kishte të qartë se qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe t’i kundërshtojnë nismat e tij. Sepse, po të jetë ndryshe, atëherë do të kishte diktaturë, e jo demokraci.

Por, duket se protestat në Kosovë nuk konsiderohen si e drejtë qytetare. Ata që ngrenë zërin, më shumë shihen si dofarë armiqsh të qeverisë, që po dashkan të ndalin progresin, lulëzimin e vendit!

A ka arsye më të fortë se të protestohet kundër hipokrizisë së krerëve institucionalë të Kosovës, të cilët u treguan skandalozë në raport me çështjen e protokollit EULEX-Serbi? Ata zgjodhën që gjithçka të mbulojnë me fraza patriotiko-idilike dhe refrene bajate për funksionim shteti. Ata nuk denjuan që qytetarëve t’u shpjegojnë çfarë në të vërtetë ishte ky protokoll, por herë e shpallnin të mbyllur dhe e herë distancoheshin, thuajse nënshkrimi i tij kishte të bënte me Zimbabvenë a Somalinë, e jo me të ardhmen e Kosovës! Kur heshtin liderët, flet populli, thonë.

Athua si do të reagonin kryeministri e liderët tjerë (edhe ata të opozitës, sepse pushtetin e disave nga ta e kemi provuar) po që se qytetarët do të ngriheshin në protesta për të kërkuar sigurim social e shëndetësor? Si do të reagonin po të përballeshin me protesta masive të qytetarëve që kërkojnë punë, bukë, rrymë e ujë? Si për inat, pikërisht në ditën kur kryeministri po fliste për progresin, njerëzit në Kosovë po përballeshin me reduktime pa orar të rrymës. E shiritin e rrugës që po e përuronte, po e priste bashkë me kryetarin e Komunës, ish-i arrestuar nga policia. Muhabete të vjetra e të dhimbshme këto.

Gabimi më i madh do të jetë po që se veprimet e qytetarëve në kërkim të një jetë më të mirë, në Kosovën tamam shtet, shihen si përpjekje për destabilizim dhe si veprime armiqësore. Askush s’duhet të përpiqet që njerëzve t’ua mbyll sytë e gojën. Sa fort arsye kanë kosovarët të protestojnë, e sa të durueshëm janë. Në vend që të falënderohen, ata ironizohen.

Demokracia në Kosovë është larg. Aq larg sa dhe Obama me Thaçin. Aq larg sa Kaçaniku me Washingtonin. Sa Kosova me sovranitetin.

(Editorial i gazetës “Profil”)