Kush frikësohet nga zgjedhjet e parakohshme?!

Rezultatet e shpallura nga Komisioni Shtetëror Zgjedhor (KSHZ) konfirmuan fitoren bindëse të partive në pushtet, të cilat kanë rritur dallimin në vota ndaj rivalëve të tyre opozitar në krahasim me zgjedhjet parlamentare të vitit 2011.
Sipas rezultateve VMRO DPMNE-ja në konton e saj fitoi 403.193 vota, kundrejt 288.415 të LSDM-së. Në bllokun politik shqiptar, partia shqiptare në pushtet ka mbledhur gjithsej 134.690 vota, PDSH 76.934 dhe RDK-ja 28.369, bazuar në votat për listat e këshilltarëve në nivel republikan. Kështu dallimi mes BDI dhe PDSH është 57.756 vota. Në zgjedhjet lokale 2013, partia e Ahmetit ka fituar 134.690 vota në nivel republikan.
Dalja e shtuar në zgjedhjet e fundit u pasqyrua në të gjitha partitë politike shqiptare – më së shumti në BDI dhe PDSH si parti kryesore. Kjo shihet më së miri në Kërçovë dhe Strugë, ku ka dalje më të madhe krahasuar me zgjedhjet lokale të vitit 2009 dhe ato lokale të vitit 2005. Pavarësisht mobilizimit etnik në këto dy komuna, edhe komunat tjera kanë dhënë mjaft befasi.
Njëherësh, Struga i solli përparësi të dukshme PDSH -së, duke fituar më së shumti vota pas qytetit të Tetovës. Nga ana tjetër, BDI mbetet e rrënjëzuar në Çair, me mbështetje të shtuar në Gostivar dhe në Dibër. Pjekuria e trupit votues shqiptar gjatë këtyre zgjedhjeve ishte më e theksuar në Strugë, ku pavarësisht mobilizimit intra-maqedonas, votuesit e ndëshkuan BDI-në pas tetë viteve pushtet në nivel lokal duke votuar PDSH-në që fitoi dyfish më tepër vota se në zgjedhjet lokale 2009.
Kjo ndodhi edhe në Tetovë, por në drejtim të kundërt. BDI në zgjedhjet lokale 2013 bëri kthesë të madhe –duke fituar më së shumti vota gjatë 10 viteve të fundit.
Para zgjedhjeve të fundit, BDI-ja kishte humbur 30 për qind të trupit votues, krahasuar me vitin 2002. Por, më 24 mars 2013 kjo tendencë ndryshoi në masë të madhe –duke fituar 134.895 vota për kryetarë komune. Ky ishte njëherësh rezultati më i mirë gjatë dhjetë viteve të fundit, duke qenë vetëm pak më i ulët prej zgjedhjeve parlamentare të vitit 2002, kur BDI kishte fillim të artë në zgjedhjet e para me 143.538 vota.
Krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2011, BDI ka rritje të shpejtë në Gostivar (70 për qind), Tetovë me rreth 1/3 dhe Dibër me pothuajse dy herë më tepër vota. Është interesante që pavarësisht numrit të shtuar të votave për rreth një të tretën në Strugë, BDI-ja megjithatë humbi nga PDSH-ja. E njëjta ndodhi edhe në Tearcë, edhe pse me dallim më të ulët. Rritje të dukshme ndaj zgjedhjeve të fundit parlamentare shënohet edhe në Çair me rreth 5.000 vota.
Zgjedhjet lokale 2013 ishin fitore në vete për PDSH–në sepse kjo parti fitoi pothuaj se dy herë më tepër vota se në lokalet 2009. Kështu partia e Thaçit ka gjithashtu numër më të lartë të votave krahasuar me dhjetë vitet e kaluara – më 24 mars ato e kapën dyfishin e zgjedhjeve lokale 2009, si dhe 20 për qind më shumë se zgjedhjet e vitit 2011. Dalja e shtuar kontribuoi që PDSH të mos fitojë asnjë pozitë të kryetarit të komunës, ndonëse ishte shumë afër me BDI –në Dollnen, Likovë dhe Vrapçishtë.
Në Tetovë, dalja e rritur i solli më shumë vota PDSH -së krahasuar me vitin 2011, por jo mjaftueshëm për epërsi. Arritja më e madhe u shënua në Strugë – me 11.414 vota të fituara që ia dha modelin e fitores PDSH-së, duke sjellë dyfishin e votave të vitit 2009 dhe pothuajse trefishin e zgjedhjeve parlamentare 2011. PDSH ka mbështetje të rritur edhe në Studeniçan, Saraj dhe Likovë.
Nga ana tjetër pavarësisht koalicionit brenda-maqedonas në Strugë dhe Kërçovë, kjo nuk rezultoi me efekte të dukshme. Rezultatet për Kërçovën ishin më të pritura, falë mundësisë për zgjedhjen e kryetarit shqiptar pas 70 viteve. Me votimin e diasporës në nivel lokal, BDI tani fitoi 18.552 vota, përkundër VMRO-DPMNE-së që kishte 16.222 vota.
Në bazë të kësaj, nëse bëhet simulim sipas së cilës votat për këshilltarë dhe kryetarë komunash shndërrohen në mandate të deputetëve, derisa nesër mbahen zgjedhje parlamentare rezultatet tregojnë se VMRO-DPMNE-ja do të fitojë 3 deputetë më shumë nga përbërja aktuale, pa përfshirë deputetët e diasporës.
VMRO-DPMNE-ja sipas votave për kryetarë komunash do të fitonte 56 deputetë (pa deputetët e diasporës) përderisa sipas votave të këshilltarëve do të kishte 55 deputetë. Partia më e madhe opozitare LSDM-ja sipas votave për kryetarë komunash do të ketë 37 deputetë, përderisa sipas votave të këshilltarëve do të merrte 39 deputetë.
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) sipas votave për kryetarë komunash do të fitonte 15 deputetë, derisa sipas votave të këshilltarëve 14 deputetë. Sipas votave për kryetarë komunash Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) do të fitonte 8 deputetë, njëjtë sikur me votat për këshilltarë. Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) do të fitonte 2 deputetë, ndërsa nga një deputet do të fitonin Partia përparimtare serbe dhe partia e turqve. /Zhurnal/Telegrafi/




















































