"Kush dreqin është superfuqia në këtë mes"?
Pasi që ishte zgjedhur shef i qeverisë izraelitë (në vitin 1996), Benjamin Netanjahu viziton SHBA-në, për të takuar Presidentin Bill Clinton, me të cilin do të diskutonin situatën në Lindjen e Mesme. Mirëpo, që në takimin e parë, thuhet se kryeministri izraelit e kishte luajtur mendsh Presidentin Clinton, çka e kishte detyruar këtë të fundit t'i bërtas, duke iu drejtuar me fjalët: "Kush dreqin është superfuqia në këtë mes"?
Një luajtje mendsh tash e trembëdhjetë vjet po i bëhet edhe qytetarit të Kosovës. Ai ka të drejtë të pyes, ngjashëm si ish Presidenti Clinton, se "kush dreqin është superfuqia në këtë mes"? A janë institucionet e Kosovës, është Serbia, ambasadat perëndimore, zyrat politike evropiane, KFOR-i, EULEX-i apo të gjithë dhe askush?
Ky mishmash ta turbullon shikimin e realitetit, sapo sheh skenat që ndodhin në veri të Kosovës! Në këtë pjesë të Kosovës shohim të luhet një "serial" filmik ku "aktorë" janë shumë palë, por që luajnë në periudha të ndryshme, dikush ditën (policia e Kosovës), dikush natën (strukturat e qeverisë së Serbisë), dikush në kufi (KFOR-i), një tjetër në mes të urës (EULEX-i), por që nuk ka një hero të qartë!
Tri ngjarje të ndodhura në këtë pjesë të Kosovës dy ditë pas sulmit tek "Tre Rrokaqiejt" (nga i cili sulm mbeti i vrarë në banesën e tij shqiptari Selver Haradinaj), na vërtetojnë "luftën" e këtyre "aktorëve" për të marr primatin e "superfuqisë" në veri. Këto skena po përdhosin gjithë sistemin politik dhe të sigurisë që është ndërtuar nga paslufta, madje edhe pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
E para - ku serbët e pjesës veriore për pesë minuta shkatërrojnë objektin ku do të duhej të vendosej policia e Kosovës për t'u ofruar siguri banorëve të asaj zone! Kjo skenë, ku shihet e mundur dhe poshtëruar policia e Kosovës përballë strukturave shtetërore të Serbisë (që funksionojnë në veri pa uniforma), tregon se Serbia është një nga pretendentët për të marr fronin e "superfuqisë" në atë pjesë!
E dyta - ku Policia Speciale e EULEX-it vendoset mbi Urën e Lumit Ibër, pa njoftuar dhe pyetur askënd, madje as policinë e Kosovës! Me këtë veprim edhe EULEX-i dëshiron të dëshmohet si konkurrent i fortë në këtë "luftë" për fronin e "superfuqisë", dhe atë jo vetëm në Veri!
E treta - kur në natën mes të enjtes dhe të premtes (12 e 13 prill), forcat e KFOR-it vendosin nën vëzhgim bazën e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës (ROSU) për Regjionin e Mitrovicës. Mbase KFOR-i përmes këtij veprimi dërgoi sinjale të qarta se është ai që vendosë për të gjitha gjërat në veri të Kosovës dhe se nuk do të lejoj asnjërën palë të marr primatin e "superfuqisë"! Megjithatë, as KFOR-it nuk po i ndihmon gjithë ajo makineri dhe potenciali luftarak që të dëshmohet si determinus i zgjidhjes së problemit!
Këtyre tre "aktorëve" duhet shtuar edhe po kaq që gjithashtu po "luajnë" në regji të Serbisë për veriun. Është qeveria e Kosovës, e cila më 25 korrik 2011 provoi ta merr primatin e "superfuqisë" në veri, por që dështoi ende pa e nisur mirë aksionin. Ky dështim përveç që ka nxjerr qeverinë e Kosovës nga gara për titull, i ka përkeqësuar edhe më shumë punët atje. Krejt çka i ka mbetur tani në dorë qeverisë së Hashim Thaçit (pas 25 korrikut 2011), është fjalori patriotik me të cilin po përpiqet të manipuloi shoqërinë e hutuar kosovare, por që bëhet "kokulur e për gjynah" sapo i arrijnë mesazhet nga Arbëria.
Kjo na dëshmon se janë amerikanët ata që realisht në fund shpallen hero, të cilët kanë edhe ndihmën e "shkopit dhe karotës" evropiane, sa herë që ngrehin kokën lartë institucionet, partitë dhe politikanët kosovarë.
Kjo gjendje rreth dhe për Veriun e Kosovës do të vazhdojë edhe gjatë ditëve, javëve dhe muajve të ardhshëm, derisa nuk do të gjendet një zgjidhje. Një zgjidhje që nuk do të tejkalonte fuqinë apo kapacitetin e asnjërës palë, ashtu siç nuk do të duhej as t'i nënçmonte tërësisht kërkesat e tyre. Kjo sepse çështja që është dhe do të jetë mbi tryezën e negociatave (sovraniteti dhe kontrolli mbi veriun e Kosovës), "prek thelbin e identitetit politik" të shqiptarëve shumicë dhe "mbijetesën fizike" të serbëve pakicë. Kështu që zgjidhja duhet kërkuar brenda kornizës që mbron identitetin politik të shumicës shqiptare (pavarësinë e Kosovës) dhe sigurimin e mbijetesës së pakicave (veçanërisht asaj serbe), brenda kësaj pavarësie.
Kjo nuk do të jetë e lehtë të arrihet, aq më pak kur Kosovës i mungon një udhëheqje e fortë institucionale, me legjitimitet dhe kontroll mbi veprimet politike që do të rezultonin me arritjen e një marrëveshjeje të suksesshme. Në krye të vendit kemi një kryeministër dhe qeveri që shihet më dyshim nga shumë anë; një Presidente që nuk po arrin të dëshmojë kapacitet politik dhe intelektual të të notuarit nëpër ujërat e turbullta të politikës ballkanike; një Parlament me deputet kukulla që dirigjohen nga jashtë sallës; një opozitë të çakorduar dhe të frustruar; si dhe një shoqëri të dëshpëruar dhe injorante ndaj zhvillimeve politike dhe të sigurisë që ndodhin brenda dhe rreth saj.
Prandaj, institucionet e Kosovës duhet që sa më parë të hartojnë një plan për dalje nga kriza në veri, e cila po përdoret nga të gjitha palët për manipulim politik. Nëse institucionet e Kosovës nuk do të jenë në gjendje që të ofrojnë zgjidhje, ajo do të na imponohet shpejtë dhe në disfavorin tonë. Kjo edhe për shkak të këtyre faktorëve: neglizhencës dhe padijenisë së qeverisë së Kosovës; imponimit të gjërave nga ana e Serbisë përmes dhunës, vrasjeve dhe mbajtjes në tension të situatës; si dhe insistimit të udhëheqjes së NATO-së dhe KFOR-it për të gjetur një zgjidhje politike për veriun e Kosovës.
Derisa zgjidhja nuk po ofrohet nga institucionet e Kosovës apo nuk po na imponohet nga jashtë, qytetari i Kosovës po vazhdon ta tundoi veten e tij për të gjetur përgjigjen e dilemës se "kush dreqin është superfuqia në këtë mes"?










































