Me ftesë të Ambasadës turke në Prishtinë, kryeministri Albin Kurti mori sot pjesë në pritjen për nder të 100-vjetorit të themelimit të Republikës së Turqisë.
Ai me këtë rast u shprehu urimet e tij ambasadorit Sabri Tunç Angili, presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe popullit të Turqisë, teksa festojnë një shekull të jashtëzakonshëm përparimi, rritjeje dhe vendosmërie të palëkundur.
Në këtë ditë të veçantë, ai tha se duhet t’i kushtojmë një nderim të veçantë figurës së Mustafa Kemal Ataturk, udhëheqja vizionare e të cilit dhe përkushtimi ndaj modernizimit dhe demokratizimit kanë lënë një gjurmë të përhershme në historinë e Turqisë.
“Trashëgimia e Ataturkut është ajo e modernitetit, sekularizmit dhe përparimit”, shtoi Kurti.
Kurti u shpreh se Kosova dhe Turqia kanë një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm, ndërsa komuniteti shqiptar në Turqi dhe komuniteti turk në Kosovë kanë luajtur një rol të rëndësishëm në nxitjen e shkëmbimit kulturor.
“Ky shkëmbim i thellë idesh, traditash dhe përvojash, përgjatë shumë brezave, vazhdon edhe sot të ushqejë marrëdhënien tonë, duke krijuar lidhje të pathyeshme miqësie”, tha ai.
Kurti veçoi se mbështetja e palëkundur e Turqisë për pavarësinë, sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit tonë vlerësohet thellësisht nga populli i Kosovës.
“Në një kohë kur siguria e vendit tonë përballet me kërcënimin e agresionit serb, bashkëpunimi ynë me Turqinë në fushën e mbrojtjes ka marrë një rëndësi të re. Në veçanti, ne jemi mirënjohës për gatishmërinë e Turqisë për të furnizuar ushtrinë tonë me dronët Bayraktar. Ushtria jonë ka bërë të më mirën e mundshme për t’i ardhur në ndihmë gjithashtu popullit turk, duke dërguar menjëherë një mision kërkim-shpëtim në Hatay pas tërmetit shkatërrues atje në fillim të këtij viti”, shtoi ai.
Në shënim të këtij përvjetori historik për Turqinë, Kurti rikonfirmoi përkushtimin për të forcuar e thelluar marrëdhëniet dypalëshe në të ardhmen.