Kryeministri i vendit, Albin Kurti ka nisur takimin me kryetarët e komunave, ku pjesëmarrës janë edhe kryetarët e komunave veriore.
Kurti gjatë fjalimit të tij ka folur për buxhetin dhe projektet për komuna, ku bëri të ditur që me qeverisjen e tij është rritur edhe buxheti për komuna, transmeton Telegrafi.
“Për vitin 2024 kemi 90 milionë euro më shumë për komuna. Buxheti është rritur për komuna, investimet kapitale nga ministritë e linjës përfshijnë autostrada, përmirësim të rrugëve, shkolla të reja, këto investime përfshijnë të gjitha komunat pa përjashtim”, u shpreh kryeministri.
Kryeministri po ashtu falënderoi kryetarët e komunave për mbështetjen e dhënë për Policinë e Kosovës, pas sulmit terrorist që ndodhi më 24 shtator.
“Ju falënderoj për solidaritetin dhe mbështetjen e treguar me Policinë e Kosovës në këto ditë të vështira të përballjes me kriminelët dhe terroristët, me një betejë të cilën e ngadhënjyem, por të cilën heroikisht ra rreshteri policor, Afrim Bunjaku”, tha mes tjerash ai.
Takimi mes Kurtit, ministrave dhe kryetarëve të komunës është duke vazhduar. /Telegrafi/