LAJMI I FUNDIT:

Kur (pu)shteti rrëfehet!

Kur (pu)shteti rrëfehet!

Ata janë vet shteti! Por, nuk janë aq të marrë sa Lui i XIV apo XV, apo kush e mban mend tash se cili numër ishte! Nuk e pranojnë këtë fakt! Ata vetëm thonë se e kanë merituar shtetin. Por, si çdo gjë edhe kjo e ka një fillim! Origjina e (pu)shtetit është e mjegullt! Fillon me legjendë! Legjendën për therën!

“Ah, kjo therë ende qenka këtu”, i shpëtoi një klithmë habie burrit, i cili pas shumë vitesh ishte këthyer në fshatin e tij! Thuhet se gruaja e cila po ecte krah tij e kishte dëgjuar dhe e kishte pyetur, se si ishte puna e therës! Kishte insistuar aq tepër ! Por ai, çile guri gojën!

Tash kjo puna e fjalës there është kosovarqe dhe ndoshta nuk do të kuptohet në viset ku mbizotëron standardi gjuhësor! I thuhet ferrë, do të insistojnë! Kështu duke diskutuar për standardin do të përhumbet vet ideja e rrëfimit! Morali i kësaj legjende është se gjaku nuk humbet!


Nejse, legjenda thotë se burri, përkundër kureshtjes së gruas kishte heshtur, sikur të ishte vet shefi, apo shefi i shefave dhe të gjithë shefat e tjerë të mundshëm. Kur përmendet kjo çështje, heshtin shefat vendorë, e heshtin edhe shefat ndërkombëtarë! Heshtin edhe familjarët! Heshtim edhe ne! Është çështje gjaku! E pra, nuk duket të jetë vetëm çështje frike!

Thuhet se ky burri qenka njëri nga ata, të cilët pasi ikën nga therat dhe nëpër një rrugë të pandriçuar parapolitike, arritën deri këtu ku janë. Sot, pas një pune të lodhshme në të mire të atdheut dhe demokracisë, janë shndërruar në multimilionerë, e pushtetarë të cilët nuk i lëvizë askush nga pushteti. Kanë aq para nga thasët, për të blerë çdo katër vjet, 15 për qind të elektoratit! As vota e qytetarit e as organizimet qytetare e politike nuk i zbresin dot. Llogari japin vetëm në Olimp!

Pastaj, ata janë të lidhur fort mes vete! Me lidhje gjaku! E pra, vëllezër nuk janë! Por, Brenda llojit askush nuk flet. Omerta!

Por, ta lëmë për një çast përrallën dhe të kthehemi në realitet. Njërin nga ata e kishte zënë gjaku! Donte të fliste, e të rrëfehej, por nuk e dëgjonte askush! Në njërën anë frika e në tjetrën ndërgjegjja ai nuk po rehatohej! Por, askush nuk kishte vesh për rrëfimin e tij! i dehur prej kësaj, ai bëri atë që nuk e kishte bërë askush deri më tani! Doli përpara ndërtesës së qeverisë dhe filloi të vetëakuzohej! Të rrëfehej publikisht për krimet të cilat pohonte se i ka bërë! Para ndërtesës së qeverisë e tundte një CD, me fakte! Andej e drejtonte kur tregonte shefat e vet!

E pra, CD-ja nuk ishte me këngë. Nuk dukej se e kishte për qëllim të argëtonte qeverinë, e as publikun! Nuk ishte kënga “ A vritet pafajësia”, e as kënga “ Jo nuk ndahet Mitrovica”! Po e prishte mitin për pafajësinë dhe patriotizmin në grup!

Ata të cilët e mbajnë mend, këmbëngulin se kjo ndërtesë , para të cilëve po rrëfehej “Bllaca”, është e ndërtuar mbrapsht. Plani fillestar ishte ndryshe dhe qeveria duhej të shikonte nga sheshi. Pra, nga populli! Do të shikonte nga Skënderbeu, e jo nga sulltanët. Por, kur u vunë themelet e kësaj ndërtese aty nuk ishte as Skënderbeu mbi kalë, e as më poshtë statuja e Nënës Tereze! Dikur aty ishte vendosur qendra e parasë publike, pra “Banka popullore”! Ashtu është edhe tash! Ata e menaxhojnë drejtpërdrejt[ paranë publike! Sikur të veten!

Por, aty nuk kishte asnjë there! Askush nuk kishte kurajo, duke filluar nga kryeministri, ministri i Brendshëm, apo prokurori publik të jepte një urdhër për të arrestuar njeriun i cili po pranonte publikisht krimet për të cilët drejtësia ende nuk e kishte thënë asnjë fjalë!

Por, të kthehemi te thera! Legjenda thotë se porsa u kthye në kryeqytet, burri urdhëroi të priten të gjitha therat. Të priten në atë mënyrë që askush të mos e ketë as idenë përse po bëhej kjo.

I kanë prerë të gjitha. Krejt është shtruar në asfalt. Nuk ka vend në botë ku asfalti është shndërruar në mit sikur në këtë vend. Në legjendë. Thuhet se edhe pulat kanë pësuar modifikim gjenetik viteve të fundit. Po lindin me sqep të sheshtë. Duke i ngrënë kokrrat e grurit mbi asfalt.

Madje, pas këtij kalimi të shpejtë prej oborreve me gunga devje, në oborre me asfalt, thuhet se njeri vetëm atëherë e kishte kuptuar se mamaja e tij e kishte një këmbë më të shkurtër. Por këto janë veç humor i zi që qarkullon nëpër kryeqytet për të përgojuar klasën e re politike e cila me egërsi po qeveriste e edhe më keq po menaxhonte me paranë publike. Pushteti ndër ne ende konsiderohet si plaçkë! Kur e merr ke të drejta të pakufizuara! Sipas meritave! Meritokracia bënë ligjin dhe etikën publike!

Kështu, të gjithë flasin me rrotulla! Askush nuk flet dot për temën, për therën e cila sipas legjendës e ka nxjerrë sheshit gjakun e humbur pa dëshmitarë!

Thuhet se burri më në fund ishte dorëzuar, sa nga kureshtja e gruas e sa nga ndërgjegjja e tij, se pas asaj there dikur e kishte vrarë një njeri të pafajshëm dhe e kishte plaçkitur!

Kështu, populli flet, se thera e moçme e nxori gjakun! Në fakt, duket se ishte kureshtja e pakufishme femërore dhe ndërgjegjja e rënduar e vrasësit që bënë të shpërthejë nga gjoksi i tij ajo psherëtimë tradhtare.

“Tradhtare, moj tradhtare” po këndon edhe këngëtari i adhuruar, me zërin e tij të ngrohtë ! Por, tradhtia të cilën ai e këndonte, kishte një subjekt krejt tjetër.

Tash, ndër ne, therat janë prerë dhe krejt është ba rrafsh! (Pu)shteti kurrë i ngirë po dridhet ndër ethe! E ka zënë gjaku! Po don të rrëfehet, por nuk po mundet! Qytetarët po heshtin me urti e po thonë, me ndejtë larg nga shteti! Edhe afër! Në fakt, as afër as larg shtetit! Afër të djeg e larg mërdhinë!.

E shteti po vazhdon me pre thera, me shtrue asfalt dhe… me shitë e me ble! Vet po shet, e vet po blenë!

Krejt Kosova tashmë është shtruar në asfalt dhe gati është bërë një rrethrrotullim i madh! Të gjithë po lëvizin me të madhe dhe nuk po arrijmë askund! Na kanë izolue derisa të filloi të qajë… shteti! Me tregue se ka zemër!