LAJMI I FUNDIT:

Kur frikohesh prej lepurit

Kur frikohesh prej lepurit

– Për Oruellin, veprën 1984 dhe realitetin sot –

Nga: Agon Gërguri

Koha si vlerë absolute, nuk ndryshon, por ne konstatojmë se brenda saj ka ndryshime dhe themi se koha ndryshon derisa ndryshojmë ne brenda kalendarit të të bëmave apo të mos bëmave: të hënën, të enjten, të dielën, gjatë muajit, apo në orën kaq e kaq, apo hiq!


Derisa ajo që unë e përkufizoj si koha ime që rrjedh, vazhdoj të lexoj libra si një proces permanent i kërkimit të së vetvetes, siç është dhe rileximi i romanit parashikues, për të mos thënë profetik të Oruellit [George Orwell], 1984.

Gjatë leximit, përkatësisht procesit të komunikimit me librin, gjej shumë situata, ngjarje, thënie e gjykime të cilat ngjiten për t`i trajtuar në shembullin e vitit 2023, sidomos koncepti i pushtetit të Angsocit, apo kontrollit t; jetës nga Vëllai i Madh përmes mekanizmit pushtetar: policisë së mendimit dhe Ministrisë së të Vërtetës, ku “Refolma“ [Newspeak] është gjuha e “Oqeanisë” – shtetit ku eksperimentohet me dominimin përmes kontrollit të mendimit; ku pronësohet e vërteta nga pushteti duke i vendosur postulatet (lexo: parullat) politike: lufta është paqe, liria është skllavëri, padituria është fuqi. Sidomos kjo e fundit jehon fuqishëm edhe në vitin 2023, kur tashmë informacioni është fuqi shkatërruese, sepse i mungon dija dhe leximi. Në vakumin midis informacionit dhe dijes investohet politika për të shkaktuar anarki në marrëdhëniet të cilat shtyjnë në mosrespektim të ligjit, pikërisht duke u thirr në drejtësi: “Ku nuk ka ligje, kurrgjë nuk është e paligjshme“.

Në një “konflikt diturie”, libri përdoret për frikësim gjatë procesit të reformave ku duhet të ndryshohet e shkuara apo të shpallet e pavlefshme, sepse ngjarjet e mëdha ka mundësi të mos kenë ndodhur, apo që në emër të të ndodhurës hipotetike përgatiten ndryshimet e hipotetikes si një shpresë e rreme prej të cilës njerëzit ikin, ngase liria e skllavëruar tashmë ka pronarë.

Kur të gjithë, apo shumica, e pranojnë mashtrimin e injektuar nga politika (lexo: partia), atëherë gënjeshtra hyn në histori dhe bëhet e vërtetë. Kjo ndodh ngase me vetëdije nxitet e pavetëdijshmja. Dhe, masa bëhet e pavetëdijshme për mashtrimin, sepse janë fshirë të gjitha dhënat nga kujtesa jonë për të kaluarën që ka ndryshuar si pasojë e kësaj fshirjeje dhe ti mund të deklarohesh pjesëmarrës aty ku nuk je!

Historia dhe mendimi politik si gërvishtje dhe mbishkrim i përsëritshëm

Retorika si vegëz e parë e pushtetit: Kuptimi themelor i gjuhës universale të “Refolmës“, si gjuhë puro politike, është ngushtimi i mendimit – që do të thotë ndrydhja e vullnetit të lirë të deklarimit. Këtë tendencë të gjuhës së refolmës e hetojmë edhe në rrjedhat politike të sotme, thuaja kudo – sidomos në Ballkan. Gjuha e “Oqeanisë” (lexo: Ballkan) të Oruellit është edhe sharje dhe lavdërim, gjuhë e cila e arsyeton thënien “sa më budalla, aq më i mençur“. Vegëza tjetër e pushtetit është seksi si një makinë fluide për të bërë fëmijë të përdorshëm për partinë. Gjici që e dimë dhe gjicët që i njohim.

Ky lloj sistemi partiako-pushtetar, gënjeshtrën e shndërron në të vërtetë në bazë të qëllimit, duke i shkërmuar deri në plakje banorët e klasës së ultë – prolët (lexo: fansat) – që do të thotë nënshtrim deri në pikën e konstatimit: “kur plakesh, e mira e pleqërisë është se më nuk ke nevojë për gra”. Pra, vdes motivi apo shteret motivimi i nevojës për dominim. Kjo paralajmëron tmerrin shkatërrues të njerëzores! Përpara apo mbrapa paradës së krenarisë.

Kështu ndodh kur terri bëhet mik dhe na pëlqen kur lodhemi nga jeta premtuese të cilën e kemi matur e dashur me sekonda, derisa na kanë ikur vitet.

Duke e përfillur terrin e mistershëm të pushtetit, partisë së ndërtuar mbi shtyllat drejtuese, lidhja rinore kundër seksit në fakt është lidhja për seks, ku prodhimtaria e seksit kontrollohet. Ministria e të Vërtetës konsiston në atë se pushtetari është pronar i pakontestueshëm i të vërtetës. Refolma si gjuhë unike thjeshtëzohet, që urdhrat të bëhen më lehtë të kuptueshëm e të ndërtuar mbi postulatet e njohura: Lufta është paqe, liria është skllavëri, padituria fuqi.

Implementimi i këtij sistemi qeverisës bëhet përmes javës së urrejtjes: trajnim për të futur brenda popullit ndjenjën e urrejtjes, e kur urrejtja bëhet mënyrë komunikimit te prolët (lexo: votuesit), pushteti pastaj del si peshore që të qetësojë gjakrat dhe kështu arrin të dominojë mbi ta; përmes fushatës së kursimit që te populli krijon një besim të rremë se shteti (pushteti) e ruan dhe e shton vlerën e parasë duke e dhënë pastaj si lëmoshë (në fakt, paraja kursehet për ta nënshtruar masën); përmes departamentit të trillimit – mekanizëm për t`i ushqyer masat me besim, duke i trajnuar se si t`i besojnë gënjeshtrës. Kur e hetojnë mashtrimin se e gjitha në fakt qe vetëm një shpresë e rreme, ata më nuk kanë fuqi të reagojnë (as të ndryshojnë diçka).

Maksima e tyre në raport me gënjeshtrën – të cilën e kanë servuar përmes mekanizmit të mashtrimit – është kjo: “Nuk është e mundur gënjeshtrën ta provojë vetë gënjeshtari”, ngase gjërat lëvizin; e djeshmja është shkatërruar sot, e ardhmja nuk ekziston nesër, andaj mashtrimi funksionon te vetë dëshira e ambiciozëve (lexo: audhuruesve) për t`u mashtruar.

Metoda e mashtrimit, si në 1984 të Oruellit, ka mbetur e pandryshueshme, ngjashëm me kokrrën e misrit e cila e përshkon trupin e shpezëve dhe mbetet e patretur kur del jashtë. Ajo që po ndërtohet apo është në proces të ndërtimit, është një shoqëri hierarkike e cila mundësinë e ekzistencës e gjen tek varfëria sociale (lexo: varfëria e mendjes) dhe padituria që emërtohet si analfabetizëm funksional; te relativizimi, servilizmi deri në solipcizëm (ekzistojë vetëm unë dhe mendimi im është qëndrimi juaj) Anëtari i partisë duhet të jetë sylesh, fanatik dhe i paditur, ndërsa karakter i tij të jetë i ndërtuar nga frika, urrejtja, lajkatimi, ndjenja e ngadhënjimit të një të çmenduri. I njëjti duhet përherë ta mbajë mendjen te lufta. Mendësia e luftës – pat’ e s`pat’ luftë – mbetet promotor i frikës në rrugën për të hyrë në histori. Anëtarit militant të partisë i amputohet mundësia për mendim të pavarur, ai duhet të mbahet nën psikozë, sepse vetëm ashtu bëhet i dirixhueshëm për veprim.

Shoqëria ndahet në tre nivele: të lartë, të mesëm dhe të ultë. Të lartët mendojnë të mbahen aty ku janë, të mesmit të ngihen lartë, ndërsa të ulëtit të rrafshojnë gjithçka në emër të riparimit të barazisë.

Por, kur të lartët luftojnë për barazinë e të ulëtëve, këtu fshihet mashtrimi, që konsiston ne atë se të lartët me kauza të rreme duan të mbysin çdo mendimin kritik, ngase kritikës ia heqin rrezikun rrënues kur e orkestrojnë për vete dhe se ky angazhim paradoksal sot thuajse ndodh kudo në Ballkan – pa e përjashtuar Kosovën dhe Shqipërinë ku zgjedhjet i fitojnë të kamurit, ngase skema mashtruese funksionon më lehtë kur i kamuri shet fukarallëkun si pasuri politike.

Pabarazia si çmim i qytetërimit apo rekrutimit të prolëve

Atyre, prolëve, pas rekrutimit në moshën 16-vjeçare, u jepet liria intelektuale vetëm pasi më parë është konstatuar mungesa e intelektit. Sepse, anëtarëve të partisë assesi nuk u lejohet shmangia nga opinioni i udhëheqësit, qoftë edhe për tema të parëndësishme.

E, në rastet kur faktet flasin ndryshe, atëherë duhet ndryshuar faktet e jo qëndrimin e udhëheqësit. Pra, puna themelore e partisë është përdorimi i mashtrimit të ndërgjegjshëm duke e ruajtur vendosmërinë e qëllimit që shoqërohet me një ndershmëri të plotë retorike Të thuash gënjeshtra për të tjerët, nuk edhe është aq rrezik, por kur gënjeshtari fillon t‘ju besojë gënjeshtrave të veta, atëherë arrihet piku i rrezikshmërisë. Pastaj harron çdo fakt që është i pakëndshëm, dhe kur një ditë i njëjti bëhet prapë i këndshëm, e nxjerrë atë nga harresa – i jep rëndësi asaj çfarë ka mohuar. Sot, të gjitha këto salto mortale bëhen përmes fejsbukut, instagramit, rrjeteve tjera sociale, gazetarisë përmes portaleve fiktive, opinionistëve …

Duke e mbajtur gënjeshtrën gjithnjë një hap para të vërtetës, politika qeverisë i ysht prolët (votuesit) drejtë frikës dhe urrejtjes.

Kur pushtetari merr besimin e verbër nga qytetarët e zhgënjyer, të cilët nuk e kanë të qartë shkakun e zhgënjimit të tyre, atëherë edhe zhgënjimin ia mëveshin tjetrit. Këtë lloj besimi, pretendetët pushtetarë pastaj e orientojnë kah të duan, sepse pushtetarët tashmë kanë arritur të bindin prolët (masën e votuesve) se vetëm ata e shohin errësirën, pavarësisht se çka do të thotë simbolika e kësaj aftësie që të dërgon në terrin e gënjeshtrës me shpresën e pishtarit.

Oruelli dhe njeriu i sotëm

Njeriu vazhdon të sprovohet në mundësi të ndryshme, si qenie sa e përsosur aq edhe e mashtruar e mëkatare, të cilit shumë herë i mjafton të kuptojë, megjithëse rëndësia e kuptimit mbetet gjithnjë prapa përjetimit.

Duke mos e kuptuar njëri-tjetrin, bota njerëzore po zbehet dhe shndërrohet në atë që nuk e dëshiron. Në një botë të tillë të prishur, nuk do të ketë më emocione tjera përveç atyre të frikës, poshtërimit, tërbimit, ngadhënjimit dhe vetëposhtërimit duke u “kënaqur“. Të gjitha e të gjithë do vihen në shërbim të mashtrimit, duke e ndier për një moment kënaqësinë e ngadhënjimit në dështimin e përhershëm.

E, pra, vetëm shpirti i njeriut mundet me e mposht të keqen, që do të thotë se kutia e zezë e rrëfimit për njeriun gjendet në frekuencat e shpirtit – në përjetimin e jo aq në kuptimin apo moskuptimin e gjërave.

Derisa sot debati bëhet aty ku duhet vënë presja brenda apo jashtë kllapave, dhe kur ky përkufizim i kllapave më dërgon në teatër, brenda asaj kornize shëmbëllen jeta e prodhohen emocionet, ndjenjat, përjetimet të cilat e rinovojnë qenien njerëzore duke u bërë dy në një brenda ngjarjes. Aty mund të mësojmë (sado kjo fjalë e keqe) se mendimi nuk varet vetëm nga fjalët ndikuese, por edhe në ato vepruese, se kështu ne e kthjellim mendimin dhe e saktësojmë qëllimin e quajtur jetë.

Teatri e kthjell mendimin duke e cytur atë në veprim.

Dhe, ku jemi sot apo deri ku kemi arritur, deri te dera e Ferrit aty ku na pret kerberi: në një fushë ku funksionon vetëm keqkuptimi i provuar me një fjalor të ri, siç e paralajmëroj Oruelli me refolmën, që në fakt bëhet instrument i komunikimit të pushtetarëve, një prerje e rrezeve të mendimit ku dominojnë shprehjet seksshkrim, mirëseks dhe prolushqej në një ambient të mbushur me lajme të rreme dhe me propagandë, ku e vërteta zhytet në balten e gjallë sa herë mundohet të nxjerr kokën.

Bota sot funksionon me seks dhe propagandë

Oruelli me romanin 1984 e prek të sotmen e frikshme, si një parashikim i cili po ndodh. Detekton fakte të ikjes nga e vërteta përmes gjuhës së rëndomtë (lexo: varfëruar) duke e bërë atë më të përdorshme për masën e sunduar që Oruelli i quan prolë [proletariat!] e që janë votues, fansa fanatik, mbështetës pa kushte të nënës parti apo të babë-kryetarit.

Apo krejt kjo i ngjanë situatës kur pronarja i thotë lepurit: Uh, sa më frikove! /Telegrafi/