Kujdes nga ky mjalt

Kompanisë ‘Tiger Trade’, e cila e importon produktin ‘King’s Honey’ i është dhënë urdhër nga Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinarisë që të tërheqë produktin nga tregu derisa të dalin analizat laboratorike, të cilat dëshmojnë sigurinë e këtij produkti.
KosovaPress mëson se një produkt i tillë po gjendet akoma në raftet e farmacive në Prishtinë, derisa informohet se në Kroaci tashmë është ndalur për të njëjtat arsye.
E Agjensioni Kosovar për Produkte Medicinale thotë se gjithë këtë çështje e ka adresuar tek Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinarisë.
Këta të fundit thonë se më datë 2 shtator ata kanë marrë një shkresë zyrtare nga Agjensioni Kosovar për Produkte Medicinale mbi dyshimin për përbërjen e këtij produkti.
Lamir Thaçi, zëdhënës për informim në AUV, thotë për Kosovapress se kanë urdhëruar importuesin që të tërheqë produktin derisa të vërtetohet siguria e tij.
“Ne do të dalim bashkërisht edhe me inspektorët komunalë, edhe me inspektorët farmaceutikë, edhe pse inspektorët farmaceutikë kanë dale dhe kanë tërhequr nëpër barnatore dhe kanë urdhëruar që ky produkt duhet të ndalet nga tregu”.
“Ne e urdhërojmë edhe importuesin që përmes distributorëve të vet të gjithë produktin ta tërheqë nga tregu, ta deponojë dhe do të plombohet nga inspektorët tonë dhe do të priten rezultatet konfirmative të analizave laboratorike që dëshmojnë sigurinë e këtij produkti”.
Ai madje thotë, se nëse vërtetohet dyshimi i bazuar, atëherë mund të nxjerrët edhe vendimi për asgjësimin e të gjitha produkteve në Kosovë nga ky brend i prodhimit.
“Ky importues nuk ka të drejtë të importojë këtë produkt derisa ne të marrim një dokument konfirmativ nga AKPM që garanton sigurinë e këtij produkti ose në të kundërtën vërtetohet dyshimi i bazuar, atë herë mund të nxjerrët edhe vendimi për asgjësimin e të gjitha produkteve që aktualisht janë të importuara në Kosovë, nga ky prodhues dhe ky brend i prodhimit, nuk behët fjalë për brende tjera, sepse mund të jetë importuese që mund të ketë edhe produkte të ndryshme, bëhet fjalë vetëm për mjaltin e quajtur “King’s Honey” që ka një mbidozë të një përbërësi i cili nuk është i lejuar të konsumohet”.
‘Tiger Trade’ SHPK është përfaqësues ekskluziv i ‘King’s Honey’ për Kosovë e cila në vitin 2013 ka nënshkruar marrëveshje për përfaqësim të këtij produkti që prodhohet në Kinë nga kompania ‘Medivital Pharm’ SDN BHD nga Malajzia.
Kjo kompani i ka thënë KosovaPress-it se vitin e kaluar ka marrë lejen e punës nga Agjensioni i Ushqimit dhe Veterinarisë.
Sipas tyre, dokumentacioni që kanë dorëzuar në AUV ka përfshirë analizat laboratorike në Kroaci dhe në Kinë.
“Me datë 03.09.2014 Tiger Trade ka marr njoftim nga AVUK për ndërprerjen e importit te këtij produkti deri në një vendim të ardhshëm. Ky vendim nga AVUK është marrë pas marrjes së një informate nga ana e Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM) ku ata kanë ngritë shqetësimin për këtë produkt. Këto shqetësime janë pranuar në AKPM nga disa media në Republikën e Kroacisë. Tiger Trade është duke e respektuar këtë vendim plotësisht”, ka thënë Ferid Berisha, drejtor i kompanisë importuese.
Sipas tij, kompania prodhuese e kësaj mjalte, ‘Medivital Pharm’ ka dërguar produktin ‘Kings Honey’ për analiza në një laborator me renome në një prej shteteve të BE-së.
“Tiger Trade ka kërkuar nga AVUK dhe AKPM qe ky produkt të dërgohet në një laborator vendor apo ndërkombëtar për të vërtetuar padëmshmërinë e përdorimit të këtij produkti nga ana e njerëzve”, ka shtuar ai.
E tani, gjithçka mbi fatin e këtij produkti do të varet nga analizat laboratorike, që siç thonë në Agjensionin e Ushqimit dhe Veterinarisë, nëse analizat konfirmojnë se dyshimi është i bazuar atëherë produkti do të asgjësohet dhe sipas ligjit nëse parashihet do të dërgohet edhe fletëparaqitje për gjykatë.
‘King’s Honey’ është i dedikuar kryesisht për meshkujt mbi moshën 18 vjeçare.
Sipas hulumtimeve tradicionale, ndikon në rritjen e ndjenjës seksuale tek meshkujt. Shenjat e para të veprimit shfaqen pas konsumit të parë dhe zgjasin disa ditë. Ky produkt është ndaluar në Kroaci gjatë muajit gusht, si i dyshuar që ka përbërës të rrezikshëm për shëndetin e njeriut. /Telegrafi/





















































