Kroacia i dërgoi një notë proteste Serbisë për shkak të marrëdhënieve dhe trajtimit të qytetarëve kroatë në atë vend.
Zagrebi ka kërkuar shpjegim dhe ka shprehur një protestë të fortë, për sjelljen e serbëve ndaj pesë shtetasve kroatë gjatë qëndrimit të tyre në Serbi.
Notën e ka bërë të ditur të mërkurën ministri i Punëve të Jashtme, Gordan Grliq Radman, transmeton Telegrafi.
“Ne do të dërgojmë një notë proteste, do ta informojmë delegacionin e Bashkimit Evropian në Beograd për veprimet e autoriteteve serbe dhe sjelljen e tyre, në të cilën ata i vendosën qytetarët kroatë në pozitë poshtëruese”, tha ai.
“Ne do të mbledhim sistematikisht të gjitha rastet e keqtrajtimit të qytetarëve kroatë dhe do të informojmë Komisionin Evropian dhe Presidencën polake (BE) për këtë dhe, natyrisht, do të rishikojmë rekomandimin për udhëtimin e qytetarëve kroatë në Serbi”, shtoi ai.
Grliq Radman sqaroi se rekomandimi i MVEP-it për udhëtimin në një shtet fqinj do të ndryshohet, për mbrojtjen dhe sigurinë e kroatëve.
“Me sa shoh unë, siguria është e dyshimtë”, tha shefi i diplomacisë kroate. /Telegrafi/