Kreshnikët e vonuar
Kur e kuptoi se personi ishte turk, pa një pa dy, burri iu hodh sipër. E goditi pa mëshirë derisa e shembi përdhe. Vrapuan disa të tjerë, e ndanë dhe e pyetën pse e bëri këtë. Duke iu marrur fryma, patrioti tha se po e rrihte për shkak se turqit na kishin sunduar pesëqind vjet. Këta të tjerët, duke mbajtur gazin, i thanë “po ajo kohë ka kaluar moti”. Trimi ua ktheu “po, e di, por unë tash vonë e kam marrë vesh”.
Sa të ngjashëm me këtë protagonist barcolete janë kreshnikët kuqezi nga Shqipëria. Si duket, në dekadën e dytë të shekullit XXI, e kanë kuptuar se ne jemi një komb. Muajve të fundit i kam parë shumë herë duke shfaqur nacionalizëm e patriotizëm dhe duke shpalosur platformën e tyre. I kam parë tek na tregonin (paramendoni, neve – shqiptarëve kosovarë!) se çka është kombi e bashkimi kombëtar. I kam parë tek defilonin shesheve dhe deklamonin me patetizëm për çështje, të cilat, ne, shqiptarët e Kosovës, i paskemi harruar. Dhe në fund, i pashë tek na e mbuluan Newborn-in, simbolin tonë të pavarësisë.
Disa qindra kreshnikë, që mos t’i sillte autobusi, nuk do ta dinin as rrugën për Kosovë; që nuk dinë se a është Kosova në Prishtinë apo e kundërta; që çuditen se po i kuptojnë njerëzit kah flasin rrugëve të Prishtinës (sic!)…erdhën në kryeqendrën tonë dhe, nën një delirium (që, mund të krahasohej vetëm me koncertin e Bregovicit në Tiranë), u përpoqën të manifestojnë idetë e tyre, duke dashur t’i injorojnë dhe anashkalojnë të arriturat tona. T’i zhbëjnë ato fryte, të cilat kanë kërkuar shumë vite, shumë miq, shumë gjak dhe shumë djersë.
Kur u përpoqa të shkruaj diçka për platformën e tyre, nuk gjeta fjalë. Ishte, si të shkruaj për dyfekë pas lufte (sa i mirë ky mauzer, sa e bukur kjo karabinë, sa e fortë kjo pushkë italiane…e boritë e luftës kanë pushuar). Megjithatë, gërmimi në kujtesë dhe në arkivin tim personal dha rezultat. Në tetor 2009, kur nuk e kam ditur se ekzistojnë ende kreshnikë të tillë andej maleve që na ndajnë, paskam shkruar në një gazetë ditore një shkrim (Gazeta Express, 6 tetor 2009, faqe 24-25 - https://www.gazetaexpress.com/web/images/pdf/pdf100609.pdf ), që do të ishte përgjigjja ime edhe sot. Po e ndaj prapë me ju, lexues të dashur, posaçërisht me ata, që brilantina e flokëve të populistëve të vonuar, u ka marrur sytë dhe po u shkakton harresë.
(Tash e pashë që shkrimi paska pasur disa gabime teknike, të cilat, për korrektesë, prapë nuk i përmirësova)
Pas përmbytjes
Ndodhi përmbytje e madhe dhe ata shpëtuan e dolën në stere. Ne përpiqeshim të shpëtojmë veten tonë nga valët e egra derisa ata na largoheshin. Një kohë, ishin të shqetësuar për gjendjen e re. Shpejt, morën të bëjnë punët e tyre dhe na harruan. Ne po përpëliteshim dhe po na zihej fryma nga shkulmet e ujit që dukej se do të na çonin në pakthim. Pak nga tanët, që ishin me ta (dhe ndihmonin ata në motet e mbrapshta që po vinin), ndezën alarmin. Menjëherë pas kësaj, tanët u zhdukën nga faqja e dheut bashkë me kujtimin tonë dhe askush nuk u kujtua për ne.
Kur, pas një përkeqësimi të madh të motit dhe të reshjeve që s’ishin parë kurrë, ne iu afruam njëri-tjetrit, disa nga bijtë më të mirë të tyre intervenuan me shpejtësi rrufeje. Na shtynë tutje dhe u përpoqën të mbysin kujtimin tonë atje. (Nuk po përmendim këtu se, në emër të një ideologjie dhe kundër dashurisë vëllazërore që ne kishim për ta, këta të fundit na i drejtuan edhe armët dhe, po ua tregoj në besë, shpesh edhe na vranë). Larg tyre, ne vazhdonim të mendonim se së shpejti do të bashkoheshim. Çuditërisht, ata na shpërfillnin ose na shikonin me mosbesim. Sikur të ishim të huaj. Tepër të huaj. Me lemeri morëm vesh se në atë kohë ata po ndiheshin me afër me disa njerëz të largët stepash se sa me ne. Ata ishin vëllezërit e tyre tani; ne ishim vetëm shokë (inferiorë dhe tepër të parëndësishëm). Ne nuk donim ta besonim këtë dhe vazhdonim të llogarisnim se jemi një. Sa të pakësohej uji pak dhe do të përqafonim prapë njëri tjetrin. Do të ishim një, sikur kishim qenë gjithmonë.
Sidoqoftë, ata vazhduan të na shikojnë nga lart dhe ne silleshim sikur kjo të ishte e përkohshme dhe vetëm një pasojë e ndarjes sonë pas vërshimit. Disa nga ne, që të parët e hetuan ftohjen e tyre, i etiketuam si tradhtarë dhe nuk ua falëm kurrë. Vazhduam t’i donim deri në adhurim. Ata vazhduan të mos na duan dhe ta llogarisin fatin tonë si jo të përkohshëm. Ne vazhduam të mendojmë sikur gomari kur e hante ujku. Ne jemi një, i thoshim njëri-tjetrin, në pushimet e shkurtëra të valëve që kishin filluar (prapë) të bëhëshin më të egra. Ata nuk thoshin kështu dhe fëmijët e tyre madje as nuk dinin për ne. Në këtë kohë u mboll harrimi më i thellë për ne dhe gjenerata e re nuk njihte tjetër gjeografi përveç një forme arkivoli. Dhe pastaj…
Ndodhi përmbytja tjetër. Më e egër se sa të gjitha para saj. Ose na dukej kështu, pas qetësisë që i kishte paraprirë. Tani ne po mbyteshim dhe ata po soditnin të qetë. Nuk kishin faj. Na llogarisnin të huaj. Pakica e tyre edhe na e hodhi nga një kashtël që të dilnim në breg, po shumë nga ta nuk e llogaritën përmasën e mynzyrës dhe të tmerrit që po ndodhte. Kur po ngulfateshim, disa nga ta u zgjuan. Gjenet e fjetura reaguan (plogësht, duhet thënë) dhe e ndjemë për pak kohë ngrohtësinë e njëri-tjetrit. Sidoqoftë, shokët tanë të rinj (që kishin qenë armiqtë e tyre për një kohë) na ndihmuan dhe ne shpëtuam prapë. Pas furtunës, kur patëm kohë të reflektojmë pakëz, u pa se duke jetuar larg dhe duke përjetuar injorimin e tyre, ne nuk ishim sikur më parë. Pamë se ndarja kishte lënë brazda të thella në ne dhe në ta. U përpoqëm ta gënjenim njëri tjetrin për pak kohë, por shumë shpejt na mbuloi vorbulla e punëve, që ata i kishin kryer kohë më parë. Ndërtonim veten dhe vendin këndej. Ndiheshim të fortë dhe të shëndetshëm. I donim dhe i respektonim ata dhe të tjerët që na kishin ndihmuar gjatë përmbytjes. Dhe pastaj…
Kur deshëm të bënim një marrëveshje për të krijuar edhe ne vlera, ata u kthjellën dhe na sulmuan. Na thanë se ishim mosmirënjohës (!?) e tradhtarë. Na thanë se i kishim harruar rrënjët dhe donim t’u largoheshim. Na thanë kështu e ashtu. Ne, të stepur nga kjo “dashuri”, u thamë se nuk po largoheshim, por po u afroheshim atyre. Vetëm se kësaj radhe, donim të ishim të një niveli, në familjen e njerëzve që krijojnë vlera e prosperitet për gjeneratat e ardhshme. Që të mos lejojmë ndonjë harrim në të ardhmen. Ata tundën kokën me zemërim dhe na thanë se kjo s’do të mund të ndodhte. Jo dhe jo!
Pas harrimit njëshekullor, papritmas u ra në mend për neve dhe thonë se jemi një. (Meqë ra fjala, ne për asnjë çast të kësaj kohe, nuk e kemi vënë në dyshim se jemi një – edhe kur me këtë ata çuditeshin) Tani, me entuziazëm të pashembullt, kanë zbuluar se koha e kaluar ndaras, kur ata janë marrë me veten dhe ne jemi marrë me ta, paska qenë vetëm rrugëtim yni drejt tyre. Ne nuk ekzistojmë jashtë hijes së tyre, thonë. Tani, kur ne dëshirojmë që bashkë me ta t’i bashkohemi një familjeje më të madhe, ata janë zgjuar dhe na kanë njohur. Njerëzit që deri në përmbytjen e fundit, nuk e dinin se ka vëllezër të tyre këndej, janë bërë analistë të thellë, nacionalistë të vendosur dhe flamurtarë të bashkimit tonë.
Ku ishin ata kur ne thirrnim të dëshpëruar për këtë bashkim?

















































