Kreditë e këqija janë nga bizneset, jo nga individët

Kështu ka pohuar drejtori ekzekutiv i “Raiffeisen Bank”, në Kosovë, Rober Wight. Ai në një intervistë për KosovaPress ka treguar se viti 2013, për Raiffeisen Bank, ka qenë një ndër vitet më të mira që ka pasur gjatë këtyre 10 viteve që operon në Kosovë. Asetet e përgjithshme të kësaj banke gjatë këtij viti, janë rritur për 11 për qind, kreditë për 8 për qind, ndërsa depozitat kanë shënuar rritje për 9 për qind, faktorë këta që tregojnë për rritjen e bankës.
Sipas drejtorit të kësaj banke, edhe pse në vitin 2013 ka pasur rritje të kredive të këqija, banka e tyre nuk ka qenë e përfshirë në këtë përqindje. “Bizneset duhet të kenë kujdes dhe duhet të jenë më të kujdesshëm kur të marrin huat e tyre. Po ashtu, dua ta përmendi që shumica e kredive të këqija kanë të bëjnë me bizneset, ndërsa, individët qëndrojnë mirë në këtë aspekt. Bizneset po ashtu mund të marrin veprime të caktuara të cilat do të ndikonin në kufizimin e një mundësie që mund të vinte deri tek kredia e keqe. Kjo do të përfshinte plane përkatëse të bizneseve, plane të studiuara mirë. Po ashtu, të kenë kujdes që mos investojnë në ato industri që janë të mbipopulluara dhe normalisht ata duhet të kenë kujdes edhe për mbarëvajtjen dhe pasqyrat financiare të bizneseve. Dhe ajo që është më e rëndësishmja është që të ofrojnë shërbime dhe produkte që janë më të konkurruara në treg dhe që nuk ofrohen prej shumë bizneseve dhe ofertuesve tjerë”, ka thënë ai.
Ndërsa, për normat e interesit të kredive, ai tha se ka rënje dhe se çdo herë e më shumë ato janë duke u zbritur. “ Nëse i referohemi mesatares mund ta konfirmoj që ka pasur zbritje të normës së mesatares të interesit të kredisë, por prapë e theksoj se nuk ka norma fikse të interesit të kredisë, ato variojnë nga 8 deri në 17 ose 18 për qind dhe e gjithë kjo varet nga performanca e atij biznesi dhe nga përgatitja që ai biznes ka, që të aplikojë për kredi. Ajo çfarë ne bëjmë me biznese dhe ata janë të njoftuar për këtë, është vlerësimi i aplikacioneve të tyre për kredi kur bëhen dhe në rast se ai vlerësim merr nota të mira, i plotëson kushtet, atëherë normalisht që kualifikohet më një kredi me interes më të ulët. Ndërsa, në rast se nuk plotësohen të gjitha, në bazë të asaj, vendoset edhe norma e interesit. Norma mesatare e interesave për kredi në treg, është duke shënuar rrënje vazhdimisht”, tha ai.
Wight ka vlerësuar edhe angazhimin e qeverisë, për përmirësimin në kushtet e mjedisit biznesore. “ Po ashtu, mendoj që edhe qeveria ka punuar në lehtësimin e kushteve të mjedisit të biznesit në Kosovë. Ky lloj përmirësimi është vërejtur dhe është raportuar në raportet e parvjetshme për përmirësimin e ambientit nga bankat botërore dhe sigurisht, na mbetet që të punojmë edhe më tutje në ketë aspekt. Edhe treguesit makroekonomik kanë qenë të mirë në Kosovë. Ka pasur një rritje të mirë të GDP dhe mbi të gjitha, sektori bankar ka vazhduar të jetë i suksesshëm”, ka shtuar ai.
Industritë të cilat janë të mbipopulluara në Kosovë, ai ka vlerësuar se janë hoteleritë dhe pikat e shitjes së karburanteve. /kp/Telegrafi/



















































