Kreditë e këqija, 130 milionë euro

Në raport thuhet se sa i përket strukturës së kredive sipas klasifikimit në bazë të cilësisë, vërehet një migrim i kredive nga kategoria standarde,drejt kategorive që karakterizohen me cilësi më të dobët. Sipas raportit të BQK-së gjatë vitit 2012, pjesëmarrja e kredive të klasifikuara në gjithsej kreditë ka shënuar rritje duke qëndruar në 12,9 për qind, derisa në dhjetor të vitit 2011 ishte në 10 për qind.
Po ashtu, pjesëmarrja e kredive me probleme në gjithsej kreditë, në dhjetor 2012, ishte 10 për qind, e gjersa në fund të vitit paraprak ishte 8,3 për qind.“Rritje më të theksuar kanë shënuar kreditë e klasifikuara në kategoritë si ‘të humbura’ dhe ‘të dyshimta’, këto dy kategori së bashku përbëjnë portofolion e Kredive joperformuese”.
“Njëherazi, kjo është kategoria më e rëndësishme për sa i përket përshkrimit të cilësisë së portofoliot kreditor. Në dhjetor 2012, pjesëmarrja e NPL-ve në gjithsej portofolion kreditor të sistemit bankar arriti në 7,5 për qind nga 5,7 për qind sa ishte në dhjetor 2011”, thuhet në raportin e BQK-së për vitin 2012. /Zëri/Telegrafi/








































