Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Nesrin Lushta ka bërë të ditur se në balotazhin e 13 dhjetorit votuan 37. 88 për qind e qytetarëve me të drejtë vote. “Numri i përgjithshëm i votuesve që kanë dalë sot në votim është 376 mijë e 337 persona ose 37. 88 për qind”, tha Lushta në një konferencë për gazetarë.

Incidentet e evidentuara edhe nga shoqëria civile janë vlerësuar si minore dhe pa ndikim në procesin e tërësishëm zgjedhor. “Procesi i balotazhit ka shkuar në rregull. Vendvotimet kryesisht janë hapur me kohë. Ka pasur shumë vonesa të vogla vetëm në dy vendvotime. Dalja e qytetarëve ka qenë e mirë”, tha Lushta.

Në anën tjetër, rrjeti i Organizatave Joqeveritare “Demokracia në Veprim”, që ka monitoruar raundin e dytë të zgjedhjeve, bëri të ditur se procesi i votimit në përgjithësi ishte i qetë. Drejtuesi i rrjetit Ismet Kryeziu i tha Radios Evropa e Lirë, se në balotazh janë regjistruar më pak parregullsi sesa në zgjedhjet e 15 nëntorit. /REL/Telegrafi/