Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori vendim për certifikimin e 10 subjekteve politike, prej të cilave 2 iniciativa qytetare dhe 8 kandidatë të pavarur, për pjesëmarrje në zgjedhjet lokale të cilat do të mbahen më 12 tetor 2025.

Numri i përgjithshëm i kandidatëve, që përfaqësojnë këto subjekte politike, është: 64 kandidatë, prej të cilëve 5 kandidatë për kryetarë të komunave dhe 59 për anëtarë të Kuvendeve Komunale.


Periudha e aplikimit të subjekteve politike për certifikim të pjesëmarrjes në zgjedhje dhe për dorëzimin e listës me emrat e kandidatëve, ka filluar më 26 qershor dhe do të përfundojë më 13 gusht 2025, në orën 23:59.

Në kuadër të përgatitjes së Zgjedhjeve Lokale për Kryetarë të Komunave dhe për Kuvende Komunale, KQZ mori disa vendime, si në vijim:

Vendim për miratimin e seteve të pakove të trajnimit – Këto pako përmbajnë materiale të veçanta zgjedhore, të cilat do të shfrytëzohen para ditës së zgjedhjeve dhe që kanë për qëllim trajnimin e trupave menaxhuese që do të angazhohen në procesin zgjedhor.

Vendim për miratimin e procedurave të votimit dhe numërimit në vendvotim – Këto procedura qartësojnë rolin e të gjithë personave zyrtar të angazhuar në procesin zgjedhor, përfshirë organizimin e procesit të votimit në vendvotime, në ditën e zgjedhjeve. Gjithashtu, këto procedura, udhëzojnë qartë anëtarët e Këshillave të Vendvotimit për procesit e numërimit të fletëvotimeve në vendvotim.

Vendim për miratimin e udhëzuesit për pranimin dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore në Qendrat Komunale të Numërimit (QKN) – Ky dokument, udhëzon trupat zgjedhore që të ndjekin procedurat e caktuara për procesimin e materialeve zgjedhore në të gjitha fazat e pranimit dhe dorëzimit, duke filluar nga marrja e materialeve zgjedhore nga KQZ dhe deri te vendosja përfundimtare e tyre në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR).

Vendim për miratimin e kërkesave për shërbimet postare për procesin e votimit jashtë Kosovës për Zgjedhjet Lokale 2025 – Sipas këtij dokumenti, shërbimi i dërgesave postare bëhet nga operatori ekonomik i cili ka përgjegjësinë e trasportimit të sigurt të materialeve, përfshirë dërgimin e zarfeve me fletëvotime në adresat e votuesve të regjistruar he kthimin e materialeve në lokacionin e përcaktuar nga KQZ, në Kosovë.

Vendim për miratimin e kërkesave për materialet zgjedhore për votim jashtë Kosovës – Sipas këtij dokumenti, në këto materiale përfshihen: zarfi dërgues; zarfi kthyes; zarfi i fshehtësisë dhe udhëzuesi me informacione të ndryshme.

Vendim për realizimin e vizitave zyrtare për takime me përfaqësues të postave, lidhur me hapjen e kutive postare në Berlin dhe Bernë – Në kuadër të procesit përgatitor për votimin me postë jashtë Kosovës për votuesit që regjistrohen suksesshëm për këtë proces, KQZ do të realizojë vizitë zyrtare në shtetin e Gjermanisë dhe Zvicrës, ku sipas të dhënave regjistrohet numri më i madh i votuesve të regjistruar. /Telegrafi/