Siç njofton gazeta “Luxemburger Tagblatt”, duke iu referuar të dhënave nga Ministria e Jashtme, gjatë shtatë muajve të deritashëm të këtij ,viti 590 të huaj kanë paraqitur kërkesa për azil. Sa për krahasim: në shtatë muajt e vitit 2012 ishin1438 të huaj që ishin paraqitur te autoritetet e Luksemburgut me kërkesën për azil, njofton albinfo.

Ndërkaq, sa i përket muajit korrik të këtij viti, me kërkesa azili vendin e parë e zënë kosovarët, të cilët kanë bërë 36 kërkesa të tilla. Në vendin e dytë vijnë malazezët me 15.


Është interesante se nga vendet në gjendje krize ose lufte, si Siria, Egjipti, Tunizia e Somalia, gjatë korrikut ka pasur numra simbolikë azilkërkuesish, nga katër, dy ose nga një sosh.

Marrë në tërësi, në shtatë muajt e parë të këtij viti përqindjen më të lartë të azilkërkuesve në Luksemburg e përbëjnë shtetasit e vendeve të Ballkanit (47.9 për qind). Edhe këtu kosovarët janë të parët me 99 kërkesa për azil. Pas tyre vijnë shtetasit e Bosnjës (58), ata të Malit të Zi (52), të Shqipërisë (44) dhe të Serbisë (30).

Nga 893 vendimet që janë marrë për kërkesat e azilit gjatë shtatë muajve, rreth 10 për qind ose 86 raste mund të mbeten në Luksemburg. /Telegrafi/