LAJMI I FUNDIT:

Kosova në garën e Bosch

Kosova në garën e Bosch

Artistët kosovarë që nga viti i ardhshëm mund të garojnë për çmimin e bashkëproduksionit që e ndan fondacioni “Robert Bosch Stiftung”. Në tri kategori të ndryshme - animacion, film të shkurtër dhe dokumentar, artistët mund të përfitojnë mbështetje nga ky fondacion në shumën deri 70 mijë euro.

Enrico Battaglia, koordinator i shpërblimit, në një konferencë të organizuar të dielën në kuadër të festivalit “Skena UP”, ka njoftuar artistët se për të fituar këtë shpërblim, duhet të ketë gjithsesi kooproduksion me shtete të ndryshme. “Filmi është mënyra më e mirë e dialogut ndërkulturor. Me këtë shpërblim ne jemi përpjekur që të promovojmë kulturën. Bashkëprodhimi është shumë i rëndësishëm”.

Ndryshe nga vendet tjera të Evropës Juglindore, Kosova është i vetmi vend i cili deri më tash nuk ka qenë pjesë e kësaj gare.

Frank Alberts, fitues nga viti i kaluar, është shprehur shumë i gëzuar me mundësinë që i ka dhënë ky fondacion. “Pasi kam aplikuar në tetor të vitit të kaluar, në muajin prill të këtij viti kam udhëtuar për ta preznatuar skenarin para jurisë ndërkombëtare. Ky prezantim është shumë i rëndësishëm, pasi duhet të bësh çmos që ta shesësh projektin që ke bërë”.


Alberts është duke bërë një film, që është një bashkëprodhim me Hungarinë. “Kur ke 70 mijë euro, është shumë më lehtë që të bësh zgjedhjet e duhura”. Çmimi për herë të parë është ndarë në vitin 2004. /skenaup/