Vendimi i Ministrit të Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, për emërimin e z. Iijima në këtë pozitë, është mirëpritur dhe pranuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Japonisë.

Emërimi i Iijima në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Nderit të Kosovës në Tokio, është hap i rëndësishëm në kuadër të orientimeve strategjike të politikës së jashtme të Kosovës, për të shtuar prezencën e gjithanshme në sa më shumë vende të botës, me qëllim të fuqizimit të vazhdueshëm të subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës dhe dinamizimit të diplomacisë kosovare.


Sipas njoftimit të lëshuar nga MPJ, emërimi i z. Iijima është po ashtu hap i rëndësishëm në forcimin e gjithanshëm të marrëdhënieve bilaterale dhe thellimin e bashkëpunimit e të shkëmbimeve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Japonisë, si një ndër partnerët kryesor strategjik të Kosovës.

Isao Iijima është një personalitet i shquar i jetës publike dhe akademike në Japoni dhe një mik i madh i Republikës së Kosovës dhe popullit të saj. /Telegrafi/