Kosova ka një mundësi të shkojë direkt në Kampionatin Botëror- por është jashtëzakonisht e vështirë

Pas fitore 2-0 ndaj Sllovenisë në Lubjanë, Kosova ka siguruar matematikisht play-offin për Kupën e Botës 2026, një sukses historik për ekipin kombëtar.
Megjithatë, ëndrra për një kualifikim direkt në Botëror mbetet shumë sfiduese edhe pse ekziston matematikisht. Me vetëm një ndeshje të mbetur, Kosova pret Zvicrën në “Fadil Vokrri”.
Për t’u kualifikuar direkt, Dardanët duhet të fitojnë me një diferencë prej së paku 6 golash, një detyrë jashtëzakonisht e vështirë duke pasur parasysh formën e Zvicrës, e cila deri tani ka regjistruar 4 fitore dhe 1 barazim dhe nuk ka humbur asnjë takim.

Edhe kapiteni i Zvicrës, Granit Xhaka, e përmendi këtë fakt pas ndeshjes, duke theksuar rezultatin që i duhet Kosovës.
Trajneri Franco Foda dhe ekipi janë të përqendruar te ndeshja e fundit, duke kërkuar një rezultat të mirë .
Kosova tashmë ka shkruar histori duke siguruar play-offin, dhe çdo gjë tjetër – përfshirë një kualifikim direkt në Botëror – do të konsiderohet një arritje më së tepërmi epike për futbollin kosovar. /Telegrafi/


















































