Vërejtje për këto ligje dhe mënyrë si aprovohen, jep edhe kryetari i Komisionit për Legjislacion, Arben Gashi, deputet i LDK-së.
Sipas tij, Kuvendi nxjerr ligje dhe ato janë të obligueshme për zbatim, por, sipas tij, problemi kryesor është tek agjencia zbatuese, në këtë rast tek Qeveria e Kosovës, raporton “KosovaPress”.

Sipas tij, Lidhja Demokratike e Kosovës ka kundërshtuar në disa raste ligje të cilët nuk janë në interes të qytetarëve, por fuqia e votës i ka kaluar ato.


“Qeveria e Kosovës ka grupin parlamentar të PDK-së që e përkrah. Dhe grupin parlamentar të grupeve etnike që e përkrahin dhe normalisht është forca e votës. Ju e dini se Lidhja Demokratike e Kosovës dhe partitë tjera opozitare kanë pasur një sërë ligjesh të cilat i kanë quar si ligje në kundërshtim me interesin e qytetarëve, ka pasur një sërë ligjesh që janë vlerësuar se janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe kur është ardhur puna fuqia e votës e ka kaluar dhe në demokraci vendos vota”, ka theksuar Gashi.

Sipas tij, dëmi për vendin nuk ka të bëjë me zbatimin dhe moszbatimin e tyre, por, siç ka thënë ai, ka të bëjë me ato ligje që zbatohen dhe japin dëm dhe në këtë rast njëri nga to është Ligji për verifikim dhe krahasim të pronës, apo Ligji për institucionet mikrofinanciare e bankare.

Ndërkohë, Driton Selmanaj nga KDI, i cili monitoron punën e Kuvendit të Kosovës ka thënë se Kosova ka ligje të mira, aq sa ka përkthyes të mirë.

“Po unë mendoj që përmbajtja e ligjeve akoma lënë vend për të dëshiruar. Shumica e ligjeve janë ligje të përkthyera nga shtetet tjera. Unë shpeshherë them që kemi ligje të mira, për aq sa kemi përkthyes të mirë në Kosovë, sepse nuk kemi një analizë përmbajtjesore rreth përmbajtjes së tyre ose analizës paraprake për me pas një ligj të caktuar. Mendoj që këto problem po hasin që në fillim në draftimin në Qeveri e më pas po bart problemin edhe në Kuvendin e Kosovës, sepse mungesa e kapaciteteve dhe të komisioneve parlamentare, po derivon në legjislacion i cili lenë vend për të dëshiruar”, ka deklaruar Selmanaj.

Për më tepër ai ka thënë se kësaj i shtohet më shumë problemi i mos gatishmërisë së Kuvendit për të mos monitoruar zbatimin e ligjeve. Sipas tij, gjithë këta faktorë po ndikojnë që problemi me sundimin e ligjit në Kosovë të përmendet edhe në raportet e Komisionit Evropian, siç është Raporti i Progresit.

Selmanaj thotë se një ligj në qoftë se ka defekte duhet t’i kthehet Qeverisë. Ai mendon se, shpeshherë, përmbajtja e këtyre ligjeve janë në shërbim të interesave të partive politike dhe jo të qytetarëve.

Profesori i së drejtës kushtetuese, Riza Smaka thotë se në Kosovë miratohen shumë akte ligjore, por që kanë shumë defekte dhe nuk gjejnë zbatim.

“Nëse një akt ligjor të miratohet dhe të jetë më i miri edhe nëse nuk aplikohet ai është i pavlerë. Në vendin tonë është evidente kjo dhe e them me plotë kuptimin e fjalës që numër i madh i akteve ligjore miratohen, që miratohen e prolongohen e shpallen e hynë në fuqi janë me plotë defekte që nga fillimi akt inicio. Bie fjala, stili, terminologjia krijojnë dispozita kundërthënëse e vakume juridike”, është shprehur Smaka.

Edhe profesori mendon që Kuvendi ishte dashtë që të përqendrohej që t’ia kthej Qeverisë dhe t’i përgatis Qeveria ashtu si duhet aktet ligjore. /Telegrafi/