Site icon Telegrafi

Konjfuca njoftohet nga Ogasawara për donacionin që ka ndarë Japonia për Kosovën

Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme të Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur në takim të ngarkuarin me punë në Ambasadën Japoneze në Prishtinë, Mitsunori Ogasawara.

Konjfuca ka thënë se me Ogasawara ka biseduar rreth pandemisë COVID-19, si dhe për donacionin që Qeveria e Japonisë ka ndarë për Kosovën, transmeton Telegrafi.

“Sot, në cilësinë e Ministrit në detyrë të Punëve të Jashtme dhe Diasporës, së bashku me Drejtorin për Marrëdhënie Dypalëshe, Delfin Pllana, prita në takim të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Japonisë në Republikën e Kosovës Mitsunori Ogasawara. Në takim u bisedua për betejën e deritanishme në përballjen me pandeminë COVID-19 dhe sfidat e mëdha që kjo pandemi ka shkaktuar në mbarë rruzullin tokësor.

Ogasawara njoftoi se qeveria e Japonisë ka ndarë një donacion në vlerë prej $718,200 për popullin e Kosovës i cili i dedikohet ndërtimit të kapaciteteve të sistemit publik shëndetësor. Po ashtu, qeveria e Japonisë ka vënë në dispozicion 2500 tableta të ilaqit Avigan (Favipiravir) për pacientët kosovar për trajtim në mënyrë që të zgjerohet hulumtimi klinik kundër COVID-19”, ka shkruar Konjufca në një postim në Facebook, përcjell Telegrafi.

Ministri në detyrë po ashtu ka bërë të ditur se nga Ogasawara është njoftuar edhe për projekte tjera të asistencës teknike prej të cilave institucionet e Republikës së Kosovës kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë në ekspertizë dhe ndërtim të kapaciteteve.

“Me këtë rast, i shpreha mirënjohjen e thellë z.Ogasawara për këtë ndihmë të çmuar të ndarë nga qeveria e Japonisë, një vend mik i Republikës së Kosovës, me të cilin mezi presim të thellojmë raportet e ndërsjella, tanimë që jemi në pritje të hapjes solemne të Ambasadës së Japonisë në Prishtinë”. /Telegrafi/

Exit mobile version