Site icon Telegrafi

Konfirmohen shtatë raste me COVID-19 dhe 22 persona të shëruar

Ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia ka njoftuar se sot janë konfirmuar edhe 7 raste të reja me COVID-19, duke çuar në 806 numrin e përgjithshëm në vendin tonë.

Vitia po ashtu ka pohuar se sot janë shëruar edhe 22 persona të tjerë, gjithsej 271 të shëruar.

“Dita e katërt me radhë që i kemi këto rezultate pozitive të cilat lidhen me punën”, ka shkruar Vitia.

Rastet pozitive janë raste kontakti nga: Komuna e Prizrenit: 5 raste (sipas vendbanimit: 5 raste Prizren) dhe nga 1 rast vendbanimet: Ramjan-Viti dhe Mitrovicë e Jugut.

Më herët, ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka bërë të ditur se nga data 4 maj, do të fillojë lehtësimi gradual i masave të izolimit, të ndërmarra për të parandaluar përhapjen e koronavirusit.

Lehtësimi i masave, sipas tij, do të zhvillohet në 3 faza.

Faza e parë përfshin periudhën nga 4 maji deri më 18 maj dhe gjatë kësaj kohe do të hapen bizneset, si: ndërtimtaria dhe patundshmëria, tregtia e automjeteve, pjesërisht tregtia me pakicë, pjesërisht riparimi i artikujve personalë dhe i orendive, si dhe zyrat e konsulencës.

Faza e dytë fillon nga 18 maji deri më 2 qershor dhe gjatë saj do të fillojë operimi i bizneseve, si: tregtia me pakicë, dentistët dhe fizioterapeutët, floktarët dhe sallonet e ondulimit, tregu i gjelbër, gastronomia, transporti hekurudhor, transporti urban dhe ndër-urban dhe qendrat e thirrjeve.

Faza e tretë, ndërkaq, hyn në fuqi më 2 qershor e deri në vendimin e radhës dhe do të lejohen transporti urban dhe ndër-urban, taksitë, gastronomia, provimet në arsimin e lartë, testi i maturës dhe arritshmërisë, hapja e kinemave, e teatrove dhe hapja selektive e aktiviteteve sportive.

Masat do të lehtësohen, ka thënë Vitia varësisht prej rekomandimeve të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

Deri me tani 22 persona kanë vdekur me COVID-19, të cilët kanë pasur edhe sëmundje të tjera shoqëruese. /Telegrafi/

Exit mobile version