Për këtë krizë, disa nga drejtuesit e gazetave fajësojnë kulturën e leximit, disa të tjerë rrjetin jo serioz të shpërndarjes, gjendjen ekonomike jo të mirë të lexuesve si dhe vendimin e qeverisë për mos publikimin e reklamave publike.

Megjithatë ka edhe të tillë që mendojnë se heqja dorë nga pavarësia editoriale dhe nënshtrimi ndaj sponsorëve politikë, biznesor apo individ me interesa të caktuara, është gjeneratori i kësaj krize.


E fundit që është mbyllur në versionin e shtypur është Gazeta Express, por edhe Epokën e Re duket se po përgatitet ta ndjek këtë shembull, të paktën kështu ka pohuar botuesi i saj.

Leonard Kërquki, kryeredaktor i Gazetës Express, ka thënë se vendimi për vazhduar me vetëm versionin elektronik të gazetës nuk është bërë për çështje financiare por për ato strategjike.

“Në vend që 9 për qind e buxhetit që kemi t’i dedikuar për shtyp, ato kemi vendosur që të shkojnë komplet në portal. Ky vendim nuk do të ndikojë në numrin e punëtorëve, por ata që janë do të shfrytëzohen që të forcojnë portalin. Madje është përparësi për neve ngase kemi gjithë atë staf dhe gjithë atë buxhet të orientuar në vetëm një vend”, thotë Kërquki për Kosovapress.

Në anën tjetër Muhamet Mavraj, nga Epoka e Re, ka pohuar se kjo gjendje e gazetave dhe mbylljes së tyre është për shkak se Qeveria ka ndaluar reklamat publike.

Ai ka pohuar se Epoka e Re është në gjendje të mjerueshme dhe se, sipas tij, shumë shpejtë do ta gjejë fati i Gazeta Express.

“Përveç ndalimi i reklamave, është edhe shkaku i tatimeve të larta, të prapambetura e të fryra nga dënimet e ATK-së”, ka pohuar Mavraj.

Ndërsa kur jemi tek gazeta Lajm, Metë Bytyqi nga kjo gazetë nuk ka dëshiruar të flas. “Situata nuk është aspak e mirë”, kanë qenë fjalët e tij të vetme kur është lutur të flas për këtë temë.

Në anën tjetër, gazeta Kosova Sot e cila është në treg prej 15 vite nuk duket ta ketë këtë probleme të natyrave të tilla.

Kryeredaktorja e saj, Margarita Kadriu ka thënë se në ekonominë e tregut secili produkt, në këtë rast edhe gazetat, e gjejnë vendin e tyre në treg në bazë të kërkesës dhe ofertës.

Sipas saj, në qoftë se gazeta ka ofertë që lexuesit e pëlqejnë, atëherë ajo gazetë nuk mund të rrezikohet me mbyllje sepse, sipas saj, buxheti i një gazete krijohet nga të hyrat, të cilat gjenerohen nga shitja dhe marketingu.

“Poqë se gazeta nuk arrin të mbuloj shpenzimet nga të hyrat, atëherë fatkeqësisht rrezikon botimin e vet. Kjo vlen në rastet kur gazetat dëshirojnë të ruajnë pavarësinë editoriale, e jo të varen nga sponsorë politikë, biznesor apo individ me interesa të caktuara”, ka thënë ajo. /Telegrafi/